Në Lajpcig të Gjermanisë u çel sot Panairi Ndërkombëtar i Librit, i cili do të zhvillohet deri më 22 mars.
Pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme letrare në Evropë është edhe Shqipëria, që prezantohet nën temën “Kur historitë na lidhin”, një moto që thekson fuqinë e letërsisë për të ndërtuar ura komunikimi mes kulturave, për të ndarë përvoja të përbashkëta dhe për të nxitur dialogun ndërkombëtar.
Drejtoresha e Panairit, Astrid Böhmisch, vizitoi stendën e Shqipërisë, ku vuri në dukje rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, veçanërisht në fushën e botimeve dhe përkthimeve letrare, ndërsa zgjodhi të marrë librin e kryeministrit Edi Rama, “Në sofrën e hënës”, duke vlerësuar temën e ndjeshme që vepra mbart.
Ndërkohë, në një panel u diskutua rëndësia e përkthimit të veprave shqipe për të hapur krijimtarinë e autorëve shqiptarë në letërsinë botërore.
“Letërsia shqipe në vendet gjermano-folëse, për fat të keq nuk është ende aq e njohur sa meriton. Por, mendoj se së bashku me institucionet kulturore nga Shqipëria në bashkëpunim me shtëpitë botuese në Gjermani mund të bëjë një përparim”, tha Suzana Finger-përkthyese.
Stenda e Shqipërisë, që do të organizojë disa aktivitete deri në fund të Panairit, synon të promovojë letërsinë bashkëkohore dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Top Channel