Kanabis në magazinën e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, reagon Drejtoria e Burgjeve: Pezullohet nga detyra Bilal Hasa

19/03/2026 17:01

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar në lidhje me zbulimin e 4000 rrënjë kanabisi në magazinën e drejtorit të burgut të Rrogozhinës Bilal Hasa.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur të pezullojë nga detyra Bilal Hasën.

“Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.

Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Shpallet në kërkim drejtori i burgut të Rrogozhinës pasi në shtëpinë e tij në Gjocaj të Peqinit policia gjeti 4 mijë rrënjë kanabis.

Një aksion i befasishëm i kryer në bashkëpunim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan bëri të mundur identifikimin e një sasie të konsiderueshme bimësh narkotike në një banesë në Peqin.

Sipas informacioneve zyrtare banesa është në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës Bilal Hasa i cili u shpall në kërkim.

Gjatë operacionit policor të koduar “Kurtaj” policia sekuestroi 4 mijë rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, llampa, neonë e pajisje të tjera elektrike.

Në vijim të veprimeve hetimore policia shpalli në kërkim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës edhe përgjegjësin e OSHEE për zonën e Peqinit.

Aksioni i policisë u zhvillua pas informacioneve për veprimtari të paligjshme të Drejtorit të Burgut të Rrogozhinës. Ndërkohë që hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Nga ana tjetër drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se është njohur nga mediat në lidhje me skandalin e drogën në shtëpinë e drejtorit të burgut të Rrogozhinës ndërkohë që ka marrë masën e menjëhershme të pezullimit nga detyra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB