Gjashtë vende europiane dhe Japonia, deklaratë të përbashkët për hapjen e Hormuzit: Irani të ndërpresë sulmet

19/03/2026 16:10

Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Japonia bashkohen në përpjekjen për të garantuar kalimin e sigurt të cisternave të naftës në ngushticën e Hormuzit, pika më strategjike në botë, e cila u bllokua nga Irani pas nisjes së luftës nga SHBA-Izraeli.

Në një deklaratë të përbashkët, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Holanda dhe Japonia shprehën gatishmërinë për ndërmarrjen e masave për të zhbllokuar lëvizjen e naftës.

“Ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të siguruar kalim të sigurt përmes ngushticës. Ne do të ndërmarrim hapa për të stabilizuar tregjet e energjisë, duke përfshirë punën me disa vende prodhuese për të rritur prodhimin. Gjithashtu do të punojmë për të ofruar mbështetje për kombet më të prekura, përfshirë edhe përmes Kombeve të Bashkuara dhe IFI-ve (Institucioneve Financiare Ndërkombëtare)”.

Vendet evropiane dhe Japonia dënuan sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare dhe objekteve të naftës dhe gazit në Gjirin Persik, duke u shprehur se “Liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare”.

“I bëjmë thirrje Iranit që të ndërpresë menjëherë kërcënimet e tij, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa dhe përpjekjet e tjera për të bllokuar ngushticën për anijet tregtare, dhe të përmbushë Rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Lufta në Lindjen e Mesme, që vijon prej rreth tre javësh, ka krijuar kolaps në tregjet botërore, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimit të karburanteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB