Analiza e The Guardian/ Eliminimi figurave kryesore të regjimit iranian, ja pse strategjia e SHBA-së dhe Izraelit mund të mos japë rezultatin që pritej

19/03/2026 08:39

Vendimi i SHBA-së dhe Izraelit për të shënjestruar dhe eliminuar figurat më të larta të regjimit iranian ka shkaktuar debat të nxehtë në të gjithë botën në lidhje me efektivitetin e kësaj strategjie.

Ndërsa fillimisht dukej se vrasja e udhëheqësve të lartë mund të përshpejtonte rënien e regjimit iranian, ekspertët kanë filluar të vënë në pikëpyetje rezultatet e këtij opsioni.

Në fakt, në vend që të dobësojnë regjimin, ata besojnë se “strategjia e prerjes së kokave” mund të ketë efektin e kundërt, duke forcuar regjimin dhe duke krijuar më shumë kaos në rajon.

Sipas një analize nga Guardian, strategjia izraelite dhe amerikane, pavarësisht sukseseve të saj në vrasjet e zyrtarëve iranianë, mund të jetë kundërproduktive. Analiza thekson se regjimi iranian nuk është aq i prekshëm ndaj sulmeve ndaj udhëheqësve të tij sa duket dhe se shtresat ekzistuese institucionale dhe politike të Iranit kanë provuar se mund t’i rezistojnë presioneve të tilla.

Pavarësisht vrasjes së figurave të larta si Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei dhe numrin 2 të Teheranit, Ali Larijani, aparati i regjimit mbetet i fortë.

Khamenei, si Udhëheqësi Suprem i Iranit, dhe Larijani, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ishin dy nga figurat më të fuqishme dhe kritike në regjimin iranian. Megjithatë, strategjia nuk duket se ka çuar në destabilizimin e pritur. Përkundrazi, regjimi mbetet i qëndrueshëm dhe zyrtarët e rinj duket se e ruajnë funksionimin e sistemit politik.

Veprimet e Izraelit dhe SHBA-së duket se forcojnë kohezionin e brendshëm të regjimit dhe krijojnë një cikël hakmarrjeje.

Kujtojmë se dje, u vra edhe Ministri i Informacionit i Iranit, Esmail Khatib.

Siç raportohet në analizën e Gurdian, Sanam Vakil, një eksperte për Iranin në Chatham House, vlerëson se kjo strategji thjesht mund të “blejë kohë” për regjimin, ndërsa mekanizmi i brendshëm i Iranit do të vazhdojë të funksionojë dhe ndoshta do të rigjallërohet.

Në vend që të çojë në destabilizim, kjo strategji mund të shkaktojë shfaqjen e kuadrove të linjës më të ashpër që nuk do të jenë të gatshëm të bëjnë kompromis, duke forcuar rezistencën brenda vetë qeverisë iraniane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB