Përshkallëzohet situata gjatë natës në Lindjen e Mesme/ Izraeli godet Bejrutin, Irani kundërpërgjigjet me sulme në rajon

18/03/2026 09:15

Situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë natës, me sulme të ndërsjella që kanë përfshirë disa vende të rajonit.

Të paktën 6 persona janë vrarë dhe 24 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi izraelit në qendër të Bejrutit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban.

Një nga shpërthimet ka shkatërruar një ndërtesë në zonën Bachoura, një lagje qendrore e rrethuar nga biznese dhe hotele, jo në bastionin tradicional të Hezbollahut në jug.

Ndërkohë, në Tel Aviv janë raportuar dy viktima pas sulmeve me raketa nga Irani. Teherani kishte paralajmëruar hakmarrje pas vrasjes së një zyrtari të lartë të sigurisë, Ali Larijani.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në Bagdad, pranë kompleksit të ambasadës amerikane, duke shtuar tensionet në Irak.

Në vendet e Gjirit Persik, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin, Arabinë Saudite dhe Katarin, janë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa në Bahrein janë lëshuar alarme për rrezik sulmi.

Më herët, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin goditur baza raketore iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, duke përdorur bomba që depërtojnë në bunkerë.

Zhvillimet e fundit tregojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit, me pasoja që po shtrihen në gjithë rajonin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB