Shkëlqimi dhe perëndimi i Armando Brojës, 22 milion euro në 4 vite të humbura, 6 klube në 6 vite
Nga Gjergji Stefa
Ka një gjë të sigurt: ne jemi një popull që i duam finalet. Kush nuk i do? Janë ato ndeshje ku emocionet nuk negociohen, ku logjika shpesh bën një hap pas dhe ku zemra merr komandën.
Pikërisht për këtë arsye, modeli “Final 4”, i aplikuar dy vitet e fundit dhe këtë sezon, ka potencialin të prodhojë interes, debat dhe – mbi të gjitha – spektakël. Në Shqipëri, një pjesë e mirë e opinionit ka të drejtë kur thotë se kalimi nga kampionati klasik në një fazë finale, me ose pa përgjysmim pikësh, cenon logjikën sportive. Sepse futbolli, në thelb, është maratonë, jo sprint.
Por, nga ana tjetër, le të jemi të sinqertë: për vite me radhë kemi parë kampionate që në maj mbylleshin pa tifozë, pa tension, pa histori. Një fund sezoni i vakët, me rezultate të parashikueshme dhe stadiume bosh.
Në këtë sfidë të madhe – për të rikthyer njerëzit në stadium – nuk ka model ideal. Ka vetëm modele që funksionojnë… ose që të paktën krijojnë emocione. Dhe Final 4, pavarësisht kundërshtive, e bën këtë.
Kundërshtari kryesor mbetet matematika. Edhe pse diferencat janë të vogla mes katër të parave, mund të ndodhë që skuadra e vendit të katërt të hyjë në Final 4 pa ndonjë ambicie reale për titull. Dhe kjo e zbeh disi garën.
Pastaj vjen faktori “fushë”. Në teori, ekipe si Partizani apo Dinamo do të kishin avantazh për shkak të tifozërisë. Por ironia e bukur e futbollit shqiptar na kujton se dy herë këtë finale e ka fituar Egnatia – një skuadër që shpesh ka pasur më pak tifozë në stadium sesa rivalët e saj më “tradicionalë”.
Pra, asgjë nuk është e garantuar.
Avantazhet më të mëdha janë në planin komercial. Katër skuadra që përballen me njëra-tjetrën në një format të përqendruar, në një stadium si “Air Albania”, krijojnë një produkt tërheqës. Nëse bëhet siç duhet, numri i tifozëve mund të jetë i lartë dhe interesi real.
Këtu hyn në lojë Federata: a do të dijë ta kthejë këtë në biznes? Në një “week of football”, me fan zone, aktivitete, marketing të zgjuar? Me Kombëtaren është treguar se kjo dihet të bëhet shumë mirë. Me kampionatin… më rrallë.
Dhe në fund, pyetja më e madhe: a e zbeh kjo gjithë garën njëvjeçare? A rrezikon që maji të mos jetë “qershia mbi tortë”, por vetë torta?
E vërteta është e thjeshtë: nuk ka skemë që nuk kundërshtohet. Dhe zakonisht, skemat i vendosin ata që kanë interesin – publik ose jo. Por nëse duan ta shndërrojnë në sukses, Federata dhe katër skuadrat duhet ta trajtojnë Final 4 si një produkt të jashtëzakonshëm.
Marketingu nuk bëhet me fjalë. Bëhet me detaje: këngëtarë, atmosferë, organizim, fishekzjarre – por pa tension, pa akuza, pa kaos.
Sepse nëse duam të bëjmë një “Super Bowl” shqiptar, duhet të mësojmë të sillemi si organizatorë të mëdhenj. Nuk ka gjithmonë rëndësi rezultati – ka rëndësi spektakli.
Por, le të mos harrojmë: nuk jemi amerikanë.
Jemi europianë.
Jemi mesdhetarë.
Jemi ballkanas.
Dhe mbi të gjitha, jemi shqiptarë.
Dhe ndoshta, pikërisht këtu qëndron bukuria… dhe sfida jonë më e madhe.
Top Channel