LIVE/ Izraeli shënjestron ministrin iranian të Inteligjencës, Teherani lëshon breshëri raketash drejt Tel Avivit. SHBA tenton të sigurojë Hormuzin

18/03/2026 11:31

SHBA-të, Izraeli dhe Irani po vijojnë sulmet konstante ndaj njëra-tjetrës, teksa radhët e udhëheqjes iraniane sa vijnë e tkurren.

Pas vrasjes së numrit 2 të Iranit, Ali Larijanit, gjatë ditës së djeshme, Teherani premtoi se do të fillonte sulme hakmarrësve ndaj Izraelit. Ndaj Tel Aviv, e filloi ditën me kaos pasi një breshëri raketash balistike goditi kryeqytetin izraelit. Si pasojë e tyre humbën jetën 2 të moshuar pasi një raketë iraniane goditi kompleksin ku ata jetonin.

Forcat izraelit mbrëmjen e ditës së djeshme shënjestruan një tjetër zyrtar të lartë iranian, këtë herë, ministrin e inteligjencës së Iranit Esmail Khatib. Por Izraeli nuk u ndal me kaq pasi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme vijoi fushatën ndaj pozicioneve të Hezbollahut në Liban, teksa mediat vendase raportuan se në Beirut për shkak të sulmeve izraelite humbën jetën 6 persona dhe u plagosën 24 të tjerë.

Viktimë e sulmeve iraniane ka qenë sërish edhe Iraku, teksa pranë ambasadës amerikane në Bagdad u dëgjuan disa shpërthime.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vendosën të godisnin disa baza raketore iraniane rreth Ngushticës së Hormuzit, në një përpjekje për të siguruar kalimin e anijeve të naftës, në një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë.

Përditësimet LIVE, 18 mars

10:59 Sulm gjatë natës në Teheran, Izraeli shënjeston ministrin iranian të Inteligjencës

Izraeli ka shënjestruar ministrin iranian të Inteligjencës, Esmail Khatib, gjatë një sulmi ajror të zhvilluar në Teheran. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar izraelit, i cili theksoi se ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse Khatib ka humbur jetën.

10:56 Analiza e The Guardian/ Vrasja e Ali Larijanit, ja pse vdekja e tij mund të jetë humbje më e madhe për Iranin se ajo e Khameneit

Vrasja e Ali Larijanit nga një sulm izraelit nuk është vetëm një goditje tjetër për udhëheqjen iraniane, por mund të përbëjë një humbje me pasoja më të thella dhe më komplekse sesa edhe vdekja e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei në fillim të luftës.

10:53 Irani fajëson SHBA për sulmet në Gjirin Persik, Teherani: Objektiv ishin forcat amerikane

Irani ka fajësuar Shtetet e Bashkuara për sulmet e fundit në qytetet e vendeve të Gjirit, duke pretenduar se objektiv i tyre kanë qenë vetëm forcat amerikane.

Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, deklaroi se goditjet nuk kanë qenë të drejtuara ndaj civilëve, por ndaj pranisë ushtarake amerikane në rajon.

10:43 Sulm ndaj bazës ajrore me ushtarë australianë në Emiratet e Bashkuara Arabe

Një sulm me raketë nga Irani ka goditur një bazë ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku janë të dislokuar ushtarë australianë, duke shkaktuar zjarr dhe dëme në disa struktura.

09:53 SHBA përdor bomba “shkatërruese bunkerësh”/ Dyshimet se Irani fsheh armë në thellësi nën tokë

Përdorimi nga SHBA-të i bombave të fuqishme shkatërruese bunkerësh konsiderohet si një tregues i qartë se Irani dyshohet të mbajë një pjesë të madhe të arsenalit të tij ushtarak të fshehur thellë nën tokë.

09:44 Analiza nga DW: Ç’do të thotë lufta në Iran për industrinë e mbrojtjes së Amerikës?

Kompanive amerikane të mbrojtjes po u kërkohet të rrisin prodhimin për të plotësuar nevojat e reja që krijohen nga lufta në Iran. Kjo po e thellon edhe më shumë përplasjen ekzistuese mes tyre dhe administratës Trump.

09:15 Përshkallëzohet situata gjatë natës në Lindjen e Mesme/ Izraeli godet Bejrutin, Irani kundërpërgjigjet me sulme në rajon

Të paktën 6 persona janë vrarë dhe 24 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi izraelit në qendër të Bejrutit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin goditur baza raketore iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, duke përdorur bomba që depërtojnë në bunkerë.

08:40 “Vrasja e Larijanit nuk është goditje fatale për Iranin”, ministri i jashtëm iranian: Izraeli e tërhoqi SHBA-në në këtë luftë

Vrasja e Ali Larijanit, sekretarit të fuqishëm të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, nga Izraeli nuk do të jetë një goditje fatale për udhëheqjen e Iranit, tha Ministri i Jashtëm i vendit, Abbas Araghchi, në një intervistë me Al Jazeera.

07:59 Irani breshëri raketash drejt Izraelit, humb jetën çifti i moshuar në Tel Aviv

Dy persona humbën jetën në orët e para të së mërkurës në një zonë të Tel Avivit gjatë një sulmi iranian.

07:47 Akuzohej për spiunazh për Izraelin, ekzekutohet një shtetas në Iran

Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar një burrë të akuzuar për spiunazh për Izraelin, raportoi agjencia e lajmeve Mizan e gjyqësorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB