Gjobë 120 milionë lekë spitaleve/ Zbulohet skema e Rejsi Farma për të marrë pagesa të dyfishta nga spitalet publike, Gjykata i rrëzon ekzekutimin me përmbarues privat

18/03/2026 17:36

Kompania Rejsi Farma nuk mjaftohet me milionat, që merr nga tenderat në shëndetësi, por ka nisur të vendosë gjoba spitaleve të rretheve për të përfituar sa më shumë para publike nëpërmjet furnizimit me barna të listës së rimbursueshme në spitale.

Top Channel disponon dokumenta se “Rejsi Farma” kërkon të marrë para dy herë për fatura, të cilat spitalet i kanë likuiduar në përfundim të çdo muaji në bazë të konsumit mujor të medikamenteve, për të cilat disponojnë edhe akt rakordimet.

Por “Rejsi Farma” ka lëshuar të tjera fatura, pa marrë parasysh paratë që janë arkëtuar njëherë në llogari të kësaj kompanie.

Madje nëpërmjet edhe të një vendimi të Gjykatës së Fierit ka tentuar t’i ekzekutojë ato me përmbarues privat ku në fillim u bllokua edhe llogaria bankare e Spitalit rajonal të Fierit. Bëhet fjalë për periudhën mars – korrik 2025 ku Rejsi Farma në mënyrë abuzive ka lëshuar një faturë prej afro 120 milion lekë të vjetra.

Por në kushtet kur këto fatura ishin paguar kjo është kundërshtuar nga Fondi i detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor, që paguan për rimbursimin e barnave dhe spitali Rajonal i Fierit të cilët e kanë paditur “Rejsi Farmën” në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të parë dhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv për fatura të lëshuara nga kompania Rejsi Farma për periudhën mars – korrik 2025.

Të dy institucionet kanë vënë në dispozicion të Gjykatës edhe faturat mujore të likuiduara ndaj Rejsi Farmës.

Në bazë të gjithë dokumentacionit të paraqitur në një seancë gjyqësore të zhvilluara në Tiranë në fillim të muajit shkurt gjyqtari Aurel Arapi ka konkluduar në pezullimin e vendimit të Gjykatës së Fierit për ekzekutimin nëpërmjet përmbaruesve private të faturave të lëshuara nga kompania “Rejsi Farma”, e cila kërkon të përfitojë dyfish para në mënyrë abuzive nga buxheti i shteti planifikuar për rimbursimin barnave spitalore në rrethe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB