Fiks Fare/ Një familje në kufijtë e mbijetesës, sëmundja i goditi brenda natës, varfëria nuk i lë të marrin frymë

18/03/2026 20:50

Në fshatin Aliaj, në Njësinë Administrative Kastrat, në Malësia e Madhe, jetojnë pesë anëtarë të një familjeje të përbërë nga tre vëllezër dhe dy motra, me kryefamiljar Ilir Ujkën.

Në pamje të parë, një familje si shumë të tjera, por brenda kësaj shtëpie zhvillohet një dramë e pazakontë.

Tre prej tyre, një vëlla dhe dy motra, vuajnë nga probleme të shëndetit mendor dhe trajtohen me KEMP. Ajo që e bën historinë edhe më tronditëse është fakti se, sipas familjarëve, të tre u sëmurën brenda një nate.

Sipas dëshmisë së Ilirit, rreth 33 vite më parë, në rrethana të paqarta, familjes iu ngordhën disa krerë bagëtish. Në të njëjtën kohë, dy persona nga Tropoja kishin bujtur në shtëpinë e tyre dhe dyshohet se u kishin dhënë diçka për të pirë. Pas kësaj, filluan shenjat e para të sëmundjes. Këto mbeten rrëfime të familjarëve, pa një shpjegim të qartë edhe sot.

Por përtej dyshimeve, realiteti i sotëm është ai që rëndon më shumë.

Dy vëllezërit më të vegjël janë kujdestarët e familjes. Ata kujdesen për motrat dhe për vëllanë më të madh, mbajnë shtëpinë, gatuajnë, merren me pak bagëti dhe përpiqen të përballojnë çdo ditë me aq sa munden.

Nga një jetë e thjeshtë, janë zhytur në një përditshmëri të vështirë që kërkon përkujdesje të vazhdueshme.

Familja jeton në një shtëpi të amortizuar, ku tavani rrezikon të shembet. Banesa ndodhet në periferi të fshatit dhe kontaktet me të tjerët janë të kufizuara. Ata kanë vetëm njëri-tjetrin  dhe një shtëpi që më shumë i rrezikon sesa i mbron.

Çatia pikon. Lagështia është bërë pjesë e jetës së tyre. Në dimër, i ftohti hyn pa trokitur. Nuk bëhet fjalë për rehati, por për mbijetesë.

Ujë të rrjedhshëm nuk kanë. Kur furnizimi vjen me orar, nxitojnë të mbushin çdo enë. Mes gjithë këtyre vështirësive, ata nuk kanë borxhe në dyqane, një detaj i vogël që tregon dinjitetin me të cilin përballen me jetën.

Fqinjë dhe bashkëfshatarë, së bashku me emigrantë në SHBA dhe disa biznesmenë të zonës, kanë arritur të mbledhin rreth 1,800,000 lekë të reja. Një shumë e madhe për ta, por ende e pamjaftueshme për të ndryshuar realitetin e kësaj familjeje.

Sipas inxhinierëve të bashkisë, shtëpia nuk ka themele dhe nuk mund të rikonstruktohet. Zgjidhja e vetme është ndërtimi nga e para, një kosto që familja nuk mund ta përballojë.

Kjo nuk është thjesht një histori, por është një thirrje, të cilën familja e bën përmes emisionit Fiks Fare.

Një thirrje për bizneset, firmat e ndërtimit dhe çdo individ që ka mundësi të japë një kontribut real. Nuk kërkohet luks. Kërkohet minimum, një shtëpi e sigurt.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB