Izraeli eliminon drejtuesit kryesorë të Iranit, ‘shpëton’ vetëm presidenti Pezeshkian/ Lista e plotë e figurave të vrara Administrata e Presidentit Donald Trump i kërkoi diplomatëve amerikanë në mbarë botën të ushtrojnë presion mbi aleatët për ta shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike-IRGC të Iranit dhe grupin Hezbollah me qendër në Liban si organizata terroriste, duke përmendur rrezikun e lartë të sulmeve, sipas një kabllogrami të brendshëm të Departamentit të Shtetit të parë nga Reuters.
Direktiva, e datës 16 mars dhe e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, iu dërgua të gjitha përfaqësive diplomatike dhe shërbimeve konsullore amerikane. Ajo kërkon që mesazhi t’u përcillet homologëve të “nivelit më të lartë të përshtatshëm” brenda 20 marsit, duke shtuar se përpjekjet për t’i futur këto grupe në listën e zezë duhet të koordinohen me homologët izraelitë. Kabllogrami nënvizon se, për shkak të rrezikut të shtuar nga Irani dhe aleatët e tij, të gjitha qeveritë duhet të veprojnë shpejt për të kufizuar kapacitetet sulmuese të Iranit dhe grupeve të lidhura me të.
IRGC është një forcë elitare ushtarake që mbron sundimin klerikal shiit në Iran dhe kontrollon pjesë të mëdha të ekonomisë së vendit. Si IRGC, ashtu edhe Hezbollah tashmë janë të shpallura organizata terroriste nga SHBA dhe disa vende të tjera. Kabllogrami nuk jep detaje mbi kërcënimin e fundit, por përmend raste kur Teherani ka sulmuar fqinjët e tij dhe nxit veprime të përbashkëta.
“Regjimi iranian është më i ndjeshëm ndaj veprimeve kolektive sesa ndaj atyre të njëanshme, dhe presioni i përbashkët ka më shumë gjasa të ndryshojë sjelljen e tij sesa veprimet e njëanshme,” thuhet në dokument.
Sipas kabllogramit, vendimet e tilla do të rrisnin presionin mbi Republikën Islamike dhe do të kufizonin aftësinë e saj për të sponsorizuar aktivitete terroriste në të gjithë botën.
Top Channel