Muzeu Arkeologjik i mbyllur, godina që mbart trashëgiminë antike të Durrësit, në rikonstruksion prej vitesh

17/03/2026 12:22

Me ardhjen e pranverës, turistët e huaj dhe vendas kanë nisur të shtohen në Durrës, por një nga pikat më të rëndësishme të trashëgimisë së qytetit antik, Muzeu Arkeologjik, vijon të jetë i mbyllur.

Prej disa vitesh, godina është në rikonstruksion, duke bërë që një pjesë e çmuar e historisë së Durrësit të mbetet larg syve të vizitorëve.

“Është hera e dytë që vijmë në Durrës. Kemi qenë edhe vitin e kaluar dhe jam e dashuruar me këtë qytet. Mendonim që këtë herë do të vizitonim edhe Muzeun Arkeologjik, por ishte në rikonstruksion. Shpresojmë shumë ta shohim të hapur.”, shprehet një viitore nga Argjentina.

“Jam shumë i interesuar për muzetë dhe mezi pres ta vizitoj.”, shprehet burri i saj.

“Kemi disa vite që vijmë këtu dhe kemi parë edhe nisjen e punimeve. Këtë herë menduam se më në fund do të hynim brenda, por muzeu është ende i mbyllur. Shpresojmë që herën tjetër ta gjejmë të hapur.”, tha një turiste italiane.

Një tjetër turist nga Italia u shpreh “Jemi pak me nxitim sepse po shohim për një shtëpi këtu. Pastaj do të donim të shihnim edhe muzeun.”

Punimet në muze janë drejt fundit, por ende, sipas drejtorit të qendrës muzeore, nuk ka një datë zyrtare për hapjen e tij. Ndërkohë, interesi për ta vizituar atë mbetet i lartë, si nga turistët ashtu edhe nga banorët e qytetit.

Mes pritshmërive për muzeun është dhe mozaiku i famshëm “Bukuroshja e Durrësit” që pas dekadash ekspozimi në Muzeun historik në Tiranë, kjo kryevepër e antikitetit, pritet të kthehet në qytetin ku u zbulua.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB