Një zhvillim i ri ka ndodhur në procesin gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, ku i akuzuari Mark Antony Samson ka dhënë dëshmi para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Rome.
Gjatë seancës së mbajtur në ambientet e sigurisë së lartë të “Rebibbia Prison”, 24-vjeçari pranoi se nuk arrin të shpjegojë plotësisht veprimet e tij në momentin e krimit.
“Nuk mund ta shpjegoj çfarë më ndodhi. Ishte sikur një perde më kishte bllokuar sytë… nuk mbaj mend sa herë e godita, por padyshim më shumë se dy herë,” deklaroi ai para trupit gjykues.
Ngjarja ndodhi më 23 mars 2025 në apartamentin e Samsonit në Romë, ku Ilaria u godit për vdekje me thikë.
I akuzuari pranoi gjithashtu se në dëshmitë e mëparshme nuk kishte thënë gjithmonë të vërtetën, duke pohuar se kishte tentuar të mbronte nënën e tij, e cila më herët ishte përfshirë në hetim dhe është dënuar për fshehje kufome.
Ai shtoi se Ilaria ishte “e zemëruar dhe e zhgënjyer” pasi kishte zbuluar gënjeshtrat e tij lidhur me studimet universitare, shkruajnë mediat.
Në seancë ishin të pranishëm edhe prindërit e viktimës, të cilët përjetuan momente të vështira emocionale. Nëna e Ilarisë u detyrua të largohej për disa minuta nga salla për shkak të gjendjes së rënduar.
“Këto janë ditë shumë të vështira. Të dëgjosh këto gjëra dhe të rikujtosh momentet e fundit të jetës së vajzës sime është tepër e dhimbshme,” u shpreh ajo.
Ndërkohë, babai i 22-vjeçares theksoi se familja nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi: “Nuk po kërkoj hakmarrje, vetëm drejtësi. Dhe drejtësia do të thotë burgim i përjetshëm,” deklaroi ai.
Top Channel