Vrasje me çifte në Fushë Krujë/ Eduart Afmataj ekzekuton fqinjin pas sherrit, dëshmojnë familjarët: S’kishin konflikt Pa u mbushur ende një muaj nga ekstradimi i tij nga Dubai, çështja e Durim Bamit kaloi për gjykim.
Përveç Bamit Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim edhe 6 të tjerë të cilët, Prokuroria i akuzon për sigurim kushtesh për tentativa vrasjeje e kultivim droge. Ndërsa për 20 të tjerë pjesë e kësaj dosje të cilët janë ende në kërkim hetimet vijojnë.
Durim Bami i ekstraduar më 26 shkurt do të përgjigjet para togave të zeza për sigurimin e kushteve për vrasjen e ish deputetit socialist Arben Ndoka, të Tori Xhecukës dhe Eigers Mihasit si edhe për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ndërsa Jozi Kraja i ekstraduar në janar nga Zvicra, dyshohet se gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve Durim dhe Valter Bami, vrasje e kërkuar nga ish-deputeti socialist, Arben Ndoka. Bamin e kërkonte te vdekur dhe miku i tij i dikurshëm Marklen Haka i cili akuzohet nga SPAK si pjesëmarrës në atentatin ndaj Durim Bamit në vitin 2020.
Aldo Avdylaj i arrestuar më 14 tetor të vitit të kaluar akuzohet se ka organizuar dhe bashkëdrejtuar grupin me Astrit Avdylajn për vrasjen e Edmir Bregut në vitin 2021 në Durrës. Edson Jozëik është i akuzuar si anëtar i grupit kriminal që trafikonte lëndë narkotike.
Henerigert Mitri, ish-drejtori i Policisë Lezhë, i cili u dorëzua në shtator të vitit 2024, ndihmonte grupet kriminale t’i shmangeshin ligjit duke lejuar veprimtarinë e tyre me mbjelljen e parcelave të drogës. Ndërsa Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s, është i akuzuar se ka kultivuar bimë narkotike në bashkëpunim me Durim Bamin.
Top Channel