Triumfi me filmin “Sinners”, Michael B. Jordan fiton çmimin për aktorin më të mirë në Oscar

16/03/2026 09:23

Aktori Michael B. Jordan është shpallur fitues i çmimit për Aktorin më të Mirë në Rol Kryesor në ceremoninë e 98-të Academy Awards, për interpretimin e tij në filmin Sinners.

Në momentin që emri i tij u shpall fitues, salla shpërtheu në duartrokitje dhe reagime entuziaste nga yjet e pranishëm. Jordan e nisi fjalimin e tij falënderues duke përshëndetur familjen e tij, e cila ishte e pranishme në sallë, duke e bërë momentin edhe më emocional.

Ai vijoi duke falënderuar regjisorin e filmit, Ryan Coogler, duke thënë: “Jam shumë i nderuar që të quaj bashkëpunëtor dhe mik. Ti më dhe mundësinë dhe hapësirën për t’u parë.” Jordan ka qenë pjesë e çdo projekti kinematografik të Coogler, duke krijuar një bashkëpunim të suksesshëm ndër vite.

Në një moment reflektimi, aktori theksoi rëndësinë e figurave që i kanë hapur rrugën brezave të rinj, duke përmendur emra legjendarë si Sidney Poitier, Denzel Washington, Jamie Foxx dhe Halle Berry. “Unë qëndroj këtu falë atyre që erdhën para meje,” u shpreh ai, duke shtuar se është një nder të jetë mes këtyre gjigantëve të kinemasë.

Jordan falënderoi gjithashtu publikun dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij:

E ndjej mbështetjen tuaj. E di që doni të kem sukses dhe dua ta arrij këtë sepse ju keni besuar tek unë. Faleminderit që vazhdoni të besoni. Do të vazhdoj të rritem dhe të jap versionin më të mirë të vetes time. /TAR

Top Channel

DIGITALB DIGITALB