Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 10 mars në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në një automjet në pronësi të shtetasit O. K., duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë vënë në pranga 7 persona të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje, të cilët dyshohet se vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal dhe rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë.

Gjatë operacionit u sekuestruan prova materiale, mes tyre biçikleta e përdorur gjatë kryerjes së krimit, rrobat e autorit, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit si dhe disa aparate celularë.

Sipas policisë, menjëherë pas shpërthimit u ngrit një grup hetimor që, përmes administrimit të provave në vendngjarje dhe verifikimit të kamerave të sigurisë në disa akse rrugore, arriti të identifikojë dhe dokumentojë autorët e dyshuar.

Në vijim të hetimeve u ndaluan shtetasit Jurgen Gjonaj, 32 vjeç, Renato Balla, 25 vjeç, Kristjan Ahmerama, 24 vjeç dhe Eklips Leti, 27 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa shtetasit Glentjan Kojtari, 29 vjeç, Dorjan Hamolli, 34 vjeç dhe Geris Molla, 19 vjeç, u ndaluan për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Po ashtu, është kryer ndalimi me iniciativë edhe për shtetasin Sabah Nuzi, 33 vjeç, i cili ndodhet aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i dyshuar si porositësi i vendosjes së eksplozivit.

Nga hetimet rezulton se shtetasi Jurgen Gjonaj dyshohet se ka vendosur dhe aktivizuar lëndën plasëse në automjet, ndërsa është ndihmuar nga shtetasit Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, të cilët i kanë siguruar fotografitë dhe vendndodhjen e automjetit, biçikletën për lëvizje, banesën ku u strehua si dhe lëndën eksplozive.

Ndërkohë, tre të ndaluarit e tjerë dyshohet se kanë transportuar me automjet autorin e vendosjes së eksplozivit, në datën 10 mars 2026.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB