Qëllonte me kallashnikov duke terrorizuar banorët, arrestohet 40-vjeçari në Maliq

16/03/2026 09:53

Një 40-vjeçar është vënë në pranga pasi ishte kthyer në tmerr për banorët e Maliqit.

Shtetasi me iniciale K.A., qëllonte me kallashnikov duke vënë në rrezik jetën e të tjerëve, ndërsa rezulton se ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Në pranga ra dhe një 48-vjeçar grek, i cili ishte bashkë me 40-vjeçarin në momentin kut ai qëllonte me armë zjarri.

Njoftimi:

Qëllonte me armë zjarri, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre; Policia kap dhe vë në pranga 40-vjeçarin.

Në pranga edhe një shtetas grek, që ishte bashkë me 40-vjeçarin.
Sekuestrohen arma e zjarrit tip kallashnikov, municion luftarak, fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Orman, një shtetas po qëllonte me armë zjarri, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Policisë lokalizuan, neutralizuan dhe vunë në pranga shtetasin K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.

Në vendngjarje u sekuestruan arma e zjarrit tip kallashnikov dhe municion luftarak.

Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, edhe shtetasi grek D. P., 48 vjeç, banues në Athinë, i cili ishte bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ai qëllonte me armë zjarri.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi grek kishte ardhur në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i cili dyshohet se ishte sjellë prej tij nga Greqia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB