Hormuzi, Gjermania i thotë ”Jo” Trumpit: Neve, mos na llogarisni. Zgjidhja e krizës në Gjirin Persik duhet të vijë me negociata

16/03/2026 12:26

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, e përjashtoi mundësinë që Gjermania të marrë pjesë në një mision për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.

Në një intervistë për emisionin televiziv “Bericht aus Berlin”, ai theksoi se për momentin, Gjermania nuk do të përfshihet në këtë konflikt ushtarak. Sipas Wadephul-it, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e kanë informuar se objektivi i sulmeve të tyre është dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit, sidomos i programit bërthamor dhe atij të raketave.

“Berlini pret të informohet kur këto objektiva të jenë arritur dhe më pas është i gatshëm të marrë pjesë në negociata diplomatike”, ishte komenti i tij. Shefi i diplomacisë gjermane u shpreh i bindur se sigurinë në Ngushticën e Hormuzit dhe në Detin e Kuq mund të sjellë vetëm një zgjidhje përmes negociatave.

Ai e shfaqi hapur skepticizmin ndaj një zgjerimi të mundshëm të misionit detar të Bashkimit Europian “Aspides” në Ngushticën e Hormuzit, dhe argumentoi se misioni aktual në Detin e Kuq nuk ka treguar rezultatet e pritshme, prandaj është e paqartë nëse një zgjerim i tij do të rriste sigurinë në rajon. Siguri mund të ketë vetëm nëse konflikti ushtarak “mund të zgjidhet në thelb”, tha Johann Ëadephul. Ai pranoi se nuk kishte pritur drejtpërdrejt luftë dhe se gjithashtu “nuk dihet plotësisht saktë” se kur do të përfundojë.

Sipas tij, është e qartë se Evropa gjithmonë ofron mbështetje konstruktive, kur bëhet fjalë për sigurimin e rrugëve detare. “Por unë nuk shoh ndonjë nevojë të menjëhershme, dhe sidomos se pse Gjermania duhet të marrë pjesë,” ishte komenti i tij, ndërsa theksoi “se të gjitha përpjekjet tona janë të përqendruara në përfundimin e luftës.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB