Trumpi u kërkon ndihmë aleatëve, u bën thirrje për anije luftarake në Hormuz dhe kritikon Zelenskyn: Ky njeri nuk do marrëveshje

15/03/2026 12:49

Shtetet e Gjirit Persik raportuan sulme të reja me raketa dhe dronë këtë të diel, pasi Teherani kërcënoi se do t’i zgjerojë sulmet e tij dhe bëri thirrje për evakuimin e tre porteve kryesore në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të shtunën një burim i sigurisë amerikane konfirmoi se ambasada në Bagdad u godit nga dy dronë. Pas këtij sulmi ambasada njoftoi qytetarët amerikanë të largohen menjëherë nga Iraku.

Bahreini, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëruan njerëzit se po punonin për të penguar sulmet që po afroheshin, një ditë pasi Irani bëri thirrje për evakuimin e porteve, duke kërcënuar për herë të parë asetet jo-amerikane të një vendi fqinj.

Irani më herët akuzoi Shtetet e Bashkuara se kishin përdorur disa porte dhe magazina në Emiratet e Bashkuara Arabe për të nisur sulme ndaj Ishullit Kharg, ku ndodhet terminali kryesor që trajton eksportet e naftës së Iranit, pa ofruar prova.

Sulmet iraniane kanë vrarë të paktën një duzinë civilësh në shtetet e Gjirit, shumica prej tyre punëtorë emigrantë. Po ashtu, 13 anëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë që nga fillimi i luftës, përfshirë shtatë në luftime dhe gjashtë që vdiqën në një përplasje avioni mbi Irak javën e kaluar.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se shpreson që aleatët do të dërgojnë anije luftarake për të siguruar Ngushticën e Hormuzit dhe i ka kërkuar Mbretërisë së bashkuar që ta bëjë këtë sa më shpejt. Ai tha gjithashtu se pas sulmit në Iran mund të rivendosen sanksionet e naftës ndaj Rusisë, por ndërkaq kritikoi ashpër Zelenskyn në një intervistë që ka dhënë për “NBC”.

Pezullimi i disa sanksioneve ndaj naftës ruse u bë sepse unë dua që të ketë naftë për botën. Thjesht dua që të ketë naftë. Sanksionet e vitit 2022, të vendosura pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, do të rivendosen sapo të mbarojë kriza. Zelensky? Jam befasuar që ky njeri  nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje. Thuajini Zelenskyt të arrijë një marrëveshje, sepse Putin është i gatshëm ta bëjë këtë“, deklaroi Trump.

Ndërkohë, kriza humanitare në Liban u thellua, me mbi 800 njerëz të vrarë dhe 850,000 të zhvendosur, ndërsa Izraeli nisi valë sulmesh kundër militantëve të Hezbollahut të mbështetur nga Irani.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB