Ndërprerja e vazhdueshme e internetit si pasojë e luftës, bie rrjeti kryesor i telekomunikacionit në Iran
Mbretëria e Bashkuar po shqyrton çdo mundësi për të ndihmuar në sigurimin dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, mes përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të kalimit nga Irani.
Sekretari britanik i energjisë, Ed Miliband, tha se Londra po shqyrton opsione të ndryshme në bashkëpunim me aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të garantuar sigurinë e transportit detar në këtë rrugë strategjike. Ai theksoi se është “shumë e rëndësishme” që ngushtica të bëhet e sigurt për lundrim, por nuk dha detaje mbi veprimet konkrete që mund të ndërmerren.
Deklarata vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se kanali do të rihapet “në një mënyrë ose në një tjetër” dhe u bëri thirrje vendeve, përfshirë Mbretëria e Bashkuar, Kinën dhe Francën, të dërgojnë anije luftarake për të mbrojtur rrugën ujore.
Sipas Miliband, ekzistojnë disa mënyra për të kontribuar në sigurinë e kalimit, përfshirë përdorimin e dronëve për zbulimin dhe neutralizimin e minave detare. Ai shtoi se përfundimi i konfliktit mbetet mënyra më e sigurt për të rihapur ngushticën.
Ndërkohë, sipas një deklarate që i atribuohet udhëheqësit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, Irani do të vazhdojë të bllokojë ngushticën si mjet presioni politik dhe ekonomik ndaj SHBA-së.
Autoritetet ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim se Irani mund të ketë vendosur mina detare në zonë, ndërsa disa anije janë raportuar të sulmuara gjatë përpjekjeve për të kaluar.
Top Channel