Shqipëria, ekonomi të qëndrueshme/ Moody’s konfirmon vlerësimin Ba3: Ekonomia po rritet me 3.5% me turizëm dhe investime

14/03/2026 14:40

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s Ratings, në rishikimin e saj periodik të publikuar më 5 mars 2026, ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në nivelin “Ba3”, me perspektivë “të qëndrueshme”.

Sipas raportit të Moody’s, ekonomia shqiptare vazhdon të tregojë qëndrueshmëri. Agjencia parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) të rritet me 3.6% në vitin 2025 dhe 3.5% në vitin 2026.

Rritja ekonomike pritet të mbështetet kryesisht nga zhvillimi i sektorit të turizmit, fluksi i qëndrueshëm i Investimeve të Huaja Direkte, veçanërisht në energji dhe turizëm, si dhe nga rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës. Në aspektin fiskal, Moody’s vlerëson se zbatimi i buxhetit gjatë vitit 2025 ka mbetur i kujdesshëm.

Agjencia llogarit që deficiti buxhetor të ketë arritur në 1.8% të PBB-së në vitin 2025, nga 0.7% në vitin 2024, por sërish nën objektivin e qeverisë prej 2.4% të PBB-së. Sipas parashikimeve të agjencisë, borxhi publik pritet të vijojë të ulet gradualisht. Raporti i borxhit ndaj PBB-së parashikohet të zbresë në rreth 51% në vitin 2027, nga 52.6% që vlerësohet për vitin 2025, i ndikuar nga rritja ekonomike dhe një bilanc primar fiskal i balancuar ose lehtësisht pozitiv.

Moody’s thekson se perspektiva “e qëndrueshme” pasqyron një balancë mes rreziqeve pozitive dhe negative për ekonominë shqiptare. Agjencia pret që reformat në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian të vazhdojnë, edhe pse me ritëm gradual, ndërsa rreziqet për likuiditetin e qeverisë dhe sektorit bankar pritet të mbeten të kontrolluara. Rikonfirmimi i këtij vlerësimi nga Moody’s konsiderohet një tregues i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe i progresit në reformat strukturore, duke dhënë një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë dhe për objektivin afatgjatë të integrimit europian të vendit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB