Misteri i Banksy-t drejt zbulimit, Reuters gjurmon identitetin e artistit anonim që tronditi botën e artit

14/03/2026 13:16

Një nga misteret më të mëdha të botës së artit duket se është më pranë zgjidhjes.

Pas dekadash spekulimesh, një investigim i agjencisë Reuters ka rindërtuar historinë dhe identitetin e mundshëm të artistit anonim Banksy, një nga figurat më të famshme të artit urban në botë. Në fund të vitit 2022, në fshatin Horenka pranë Kievit, një ambulancë u ndal pranë një pallati të shkatërruar nga bombardimet ruse.

Tre persona zbritën prej saj, dy prej tyre me maska. Në pak minuta, në murin e rrënuar u shfaq një pikturë e pazakontë: një burrë me mjekër që lahet në vaskë mes rrënojave. Autor i saj ishte Banksy, i cili realizoi disa grafite në Ukrainë vetëm pak kilometra larg zonave ku më herët ishin zbuluar masakrat e luftës.

Për më shumë se 25 vite, Banksy ka ndërtuar një mit rreth identitetit të tij. Veprat e tij të realizuara kryesisht me teknikën e stencilit  kritikojnë luftën, pushtetin dhe konsumizmin, dhe janë shitur për dhjetëra milionë dollarë në ankande.

Mes veprave më ikonike janë “Girl with Balloon”, që në një sondazh u shpall vepra e preferuar e artit në Britani, si dhe momenti i famshëm i vitit 2018 kur piktura u gris automatikisht gjatë një ankandi në Londër, duke u kthyer në veprën “Love is in the Bin”.

Investigimi i Reuters ka gjurmuar jetën e artistit përmes dëshmive, dokumenteve gjyqësore dhe arkivave policore. Një arrestim në Nju Jork në vitin 2000 për vandalizëm në një billboard çoi në një dokument të firmosur nga artisti, ku shfaqej emri Robin Gunningham, një britanik nga Bristol.

Ky emër ishte përmendur edhe më parë nga media si identiteti i Banksy-t. Megjithatë, misteri nuk përfundon këtu. Sipas burimeve të Reuters, artisti mund të ketë ndryshuar më vonë identitetin ligjor dhe të ketë përdorur një emër tjetër për të mbetur anonim.

Në disa raste ai ka bashkëpunuar edhe me artistë të tjerë, përfshirë muzikantin britanik Robert Del Naja të grupit Massive Attack. Anonimiteti i Banksy-t konsiderohet pjesë e vetë artit të tij. Ai ka arritur të krijojë një figurë globale që ndërhyn në debatet politike dhe shoqërore pa u shfaqur kurrë publikisht.

Sot, veprat e tij janë shndërruar në një fenomen kulturor dhe ekonomik: vetëm në tregun sekondar të artit, shitjet e veprave të Banksy-t kanë gjeneruar afro 250 milionë dollarë në dekadën e fundit. Edhe pse identiteti i tij mbetet i diskutuar, ndikimi i Banksy-t në artin bashkëkohor është tashmë i padiskutueshëm.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB