“Ishte shumë e vështirë”/ Oficeri rrëfen sulmin iranian ndaj bazës britanike në Qipro: Që nga viti 1974 nuk kishte ndodhur kurrë që…

14/03/2026 22:49

Më 2 mars, Valentinos Pangalos mori urdhër të aktivizonte sirenat në aeroportin ndërkombëtar të Pafosit në Qipro.

Shkaku ishte shpallja e gjendjes së emergjence pasi një objekt i dyshimtë, që mendohej të ishte një dron i mbushur me eksploziv që goditi bazën ajrore britanike në Qipro. Vetëm 12 orë më parë, një dron i tipit Shahed, i prodhuar në Iran, ishte përplasur në një hangar në bazën britanike RAF Akrotiri, duke rritur ndjeshëm alarmin.

“Në 24 vjet që bëj këtë punë, nuk më ishte kërkuar kurrë të bëja diçka të tillë”, u shpreh Pangalos, një nga oficerët me shërbimin më të gjatë në forcën e mbrojtjes civile të ishullit.

“Të merrje një urdhër të tillë, kaq papritur, ishte shumë e vështirë”, tregon ai.

Por, sipas tij, kjo ishte vetëm fillimi. Bombardimet ajrore ndaj Iranit të udhëhequra nga SHBA-të dhe sulmet hakmarrëse që pasuan e kanë vënë ishullin e Mesdheut lindor në një nivel të lartë gatishmërie, një situatë që nuk është parë që nga viti 1974, kur një grusht shteti që synonte bashkimin me Greqinë çoi në pushtimin e veriut të Qipros nga forcat turke.

Sipas ‘The Guardian’, zyrtarët thonë se telefonat në dhomën e operacioneve të mbrojtjes civile kanë rënë pa ndërprerje për ditë të tëra, mes raportimeve për përpjekje të tjera për sulme me dronë nga Libani, rreth 150 milje larg.

“Njerëzit janë ndjerë shumë të frikësuar. Që nga sulmi me dron ka pasur panik”, deklaroi oficeri, i cili po kalon ditë dhe net të gjata në selinë e forcës në periferi të Nikozisë. Sipas tij, sidomos të moshuarit që kujtojnë pushtimin e vitit 1974 janë ndër më të shqetësuarit.

“Në çdo orë kemi marrë telefonata, veçanërisht nga të moshuarit që pyesin se ku është streha më e afërt dhe çfarë duhet të bëjnë. Fatkeqësisht kemi shumë pak personel”, tregon ai.

Shefja e mbrojtjes civile, Maria Papa, pranoi se autoritetet qipriote u kapën në befasi nga kriza.

“Kjo krizë sigurie ka nxjerrë në pah sa të papërgatitur jemi. Duhet përmirësim në çdo aspekt, nga strehimoret te rritja e stafit dhe infrastruktura”, tha ajo.

Në shumë ndërtesa banimi janë vendosur lista me strehimore të afërta, por shumë prej tyre rezultojnë të jenë garazhe ose bodrume të amortizuara. Ministri i Brendshëm njoftoi se rreth 480 nga 2,480 strehimoret e listuara nga autoritetet janë të papërshtatshme, të paarritshme, private ose nuk ekzistojnë fare.

Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, pranoi se reagimi ka ardhur me vonesë. Ai tha se vetëm rreth 45% e 1 milion banorëve të ishullit mund të strehohen aktualisht në bunkerët ekzistues.

“Nuk jemi aspak të kënaqur me gjendjen e strehimoreve. Nuk do ta zbukuroj situatën, veçanërisht në një vend që ka përjetuar pushtim”, tha presidenti.

Qeveria ka njoftuar se do të emërohet një koordinator kombëtar për menaxhimin e krizave dhe po hartohet legjislacion për të inkurajuar ndërtimin e bunkerëve në blloqe apartamentesh.

Ndërkohë, autoritetet po kërkojnë këshilla nga ekspertë izraelitë të mbrojtjes civile dhe po punojnë për përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm.

Megjithatë, frika mes qytetarëve mbetet e lartë. Në disa zona pranë bazave britanike janë parë njerëz që nxitojnë drejt supermarketeve për të grumbulluar ushqime.

“Është e frikshme”, tha një 67-vjeçare. “Nëse jemi kaq të sigurt, pse janë të gjitha këto anije luftarake këtu?”, shtoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB