Një ditë pasi Partia Socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp theksoi edhe njëherë qëndrimin e PS se kërkesa e SPAK nuk përmbushte kushtet për t’u konsideruar me qëllim që të zëvendësohej masa.
Sa i përket polemikave me ndërkombëtarët, Rama tha se nuk ka asnjë frenim në rrugën drejt BE-së.
“Nuk ka asgjë të re në këtë, por natyrisht që materiali në këtë rast është i favorshëm për të torolisur njerëzit dhe për të fryrë daullen e luftës kundër qeverisë edhe kundër kësaj shumice qeverisëse.
Dua t’i siguroj të gjithë që nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit të plotë në BE, nuk ka asnjë diskutim lidhur me vullnetin tonë për të vazhduar në rrugën që ne kemi hapur në pavarësimin e drejtësisë dhe në luftën reale kundër korrupsionit, ashtu sikundër nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni sepse vetë Prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion, por jemi përballë një çështjeje për hetim, e cila mund të hetohet lirisht pa as më të voglën pengesë dhe e përsëris atë që thashë edhe përpara grupit parlamentar, unë e inkurajoj Prokurorinë që të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës “ferra e korrupsionit”.
Deri tani nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Kjo është pak, por është e sigurtë.
Nga ana tjetër është e vërtetë që ne kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje, nuk është sekret dhe sikundër besoj e dinë shumica, por bëjnë sikur s’e dinë pakica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi, është që t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy, në të njëjtën lartësi.”, tha Rama.
Top Channel