Fiks Fare/ Katastrofë për fermerët e Veterrikut, 125 hektarë tokë bujqësore nën ujë nga përmbytjet e lumit Osum

13/03/2026 20:50

Fshati Veterrik, në Bashkinë Berat, po përballet me pasoja të rënda nga përmbytjet e përsëritura të lumit Osum.

Me rreth 860 banorë dhe tre lagje, Veterriku ka humbur rreth 125 hektarë tokë bujqësore gjatë dimrit, duke prekur ullinj, shegë dhe kultura për bagëtinë. Lagështia e tepërt ka filluar të thajë pemët, duke rrezikuar investimet e banorëve të cilët kanë punuar këto toka për vite me radhë.

Banorët ankohen se ndërhyrjet janë të pakta dhe të vonuara. “Vetëm një herë ka ardhur kryetari i bashkisë dhe nuk është dukur më askush. Vetëm për vota vijnë këtu te ne,” thonë disa prej tyre, duke shtuar se toka e tyre është në shtrat të lumit dhe përmbytjet janë përsëritur dhjetëra herë, duke shkatërruar ullinj dhe kultura të tjera bujqësore.

Nga ana tjetër, Bashkia Berat pranon dëmet, por thekson se ndërtimi i digave mbrojtëse nuk është kompetencë e saj, por e Bordit të Kullimit me qendër në Korçë. I pyetur nga Fiks fare drejtori i bujqësisë, Bledi Çili, tha se bashkia ka verifikuar dëmet dhe ka dërguar listat për kompensim, ndërsa Bordi i Kullimit po përgatit projekte më të gjera për të parandaluar përmbytjet në të ardhmen.

Bordi shpjegon se përmbytjet janë shkaktuar nga reshjet e shumta dhe prurjet e mëdha të lumit Osum, të cilat kanë kaluar nivelin e argjinaturës për shkak të ngushtimit të shtratit të lumit në hyrje të Bashkisë Dimal. Një projekt i ri për Veterrikun, me vlerë rreth 90 milion lekë, parashikon ngritjen e argjinaturës mbi 6 metra, për të shmangur përmbytjet e ardhshme.

Fermerët e Veterrikut presin ndërhyrje konkrete dhe shprehin shqetësimin se çdo vonesë mund të shkatërrojë përfundimisht investimet e tyre në ullinj, shegë dhe kultura të tjera bujqësore. Situata e kësaj zone është një alarm i qartë për nevojën e masave emergjente për mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB