“Është gjallë, apo ka vdekur”/ Trump mesazh Mojtaba Khameneit: Iranin e shkatërrojmë

13/03/2026 12:04

Shtetet e Bashkuara po e shkatërrojnë Iranin totalisht: Presidenti amerikan Donald Trump i përcolli një mesazh të fortë Republikës Islamike dhe botës, shoqëruar me një paralajmërim të frikshëm se është gati ta përshkallëzojë konfliktin.

Duke sinjalizuar mbërritjen e një aksioni të fuqishëm, Trump shkroi në Truth Social: “Shikoni se çfarë do t’u ndodhë këtyre të çmendurve sot.”

Ne po e shkatërrojmë totalisht regjimin terrorist të Iranit, ushtarakisht, ekonomikisht dhe në çdo mënyrë tjetër. Irani nuk e ka më Marinën e tij, Forcat Ajrore nuk ekzistojnë më, raketat, dronët dhe çdo gjë tjetër po shkatërrohen, dhe udhëheqësit e tyre janë fshirë nga faqja e tokës. Mos harroni, ne kemi fuqi zjarri të pakrahasueshme, municion të pakufizuar dhe kohë të mjaftueshme.“-u shpreh Trump.

Për 47 vjet, vazhdonte mesazhi i Trumpit, ata kanë varë njerëz  të pafajshëm në mbarë botën. Dhe tani unë, si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po i vras. Çfarë nderi i madh është ta bëj këtë! Ndërkohë, në një intervistë për Fox News Radio, Trump u ndal edhe tek raportimet se lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, mund të ketë vdekur, duke thënë se ai beson se ai është “ende gjallë, por në një formë të caktuar.”

I biri i ajatallohaut te vrarë, Ali Khamenei, nuk është parë më në publik që kur mori detyrën, dhe një fjalim u lexua në emër të tij nga një prezantues lajmesh në televizionin shtetëror iranian të enjten.  Lideri iranian nuk u shfaq vetë në ekran për të dhënë mesazhin personalisht, duke ushqyer kështu dyshimet se ai mund të jetë vërtet në koma ose të ketë humbur, siç thuhet, njërën këmbë pas sulmeve ajrore të SHBA-Israelit, që vranë babanë e tij, Ayatollah-un e mëparshëm të vendit, më 28 shkurt.

Fjalimi i Mojtabës kishte një ton të theksuar anti-amerikan, ku premtohej se Irani do të hakmerret për “gjakun e martirëve të tij.”  Një burim, i cili nuk dëshiron të identifikohet nga frika për jetën e tij, tha se lideri i ri suprem është nën kujdesin e Mohammad Reza Zafarghandi, Ministri i Shëndetësisë, Trajtimit dhe Arsimit Mjekësor të Iranit dhe një nga kirurgët më të njohur të traumës në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB