Defekt në avionin e ministrit gjerman/ Diskutime për Iranin, udhëtimi i Johann Wadephul në Turqi u shty për 70 minuta

13/03/2026 14:20

Udhëtimi i ministrit të jashtëm gjerman Johann Wadephul drejt Turqisë nisi me probleme: Pak para nisjes së planifikuar, piloti i avionit A400M të Forcave Ajrore Gjermane raportoi se diçka nuk shkonte. Avioni mbeti për 15 minuta në pistë me motorët ndezur.

Aeroporti qëndroi i mbyllur përkohësisht pa u dhënë në fillim asnjë arsye, dhe u lejua të ngrihej në ajër rreth 70 minuta pas kohës së planifikuar pas zgjidhjes së atij që u përshkrua “si një problem teknik”.

Wadephul mbërriti më vonë në Ankara ku u takua me homologun turk Hakan Fidan, të cilit i përcolli bindjen se vetëm përmes rrugës diplomatike mund të arrihet një zgjidhje e besueshme dhe e pranueshme e konfliktit të Iranit. Ai nënvizoi rëndësinë e harmonizimit të interesave të përbashkëta të rajonit dhe paralajmëroi se intensifikimi i sulmeve iraniane ndaj fqinjëve është jashtëzakonisht i rrezikshëm, teksa bëri thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të agresionit. Ndërkohë, ministri turk Fidan dënoi sulmet e Iranit ndaj shteteve të Gjirit Persik, por gjithashtu e cilësoi të paligjshëm çdo sulm të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

“Turqia nuk do të lejojë nxitjen e një lufte civile në Iran. Ne do t’i kundërvihemi planeve që mund të provokojnë konflikte të reja me bazë etnike ose fetare”, tha Hakan Fidan, ministër i Jashtëm i Turqisë.

Wadephul u shpreh me tej se, duke pasur parasysh përvojën e Turqisë me refugjatët sirianë në 2015, është e drejtë që vendi të marrë masa paraprake për të menaxhuar një valë të mundshme refugjatësh nga Irani. Sipas tij, deri tani nuk ka shenja të një krize të tillë, por ka një interes të përbashkët për parandalimin e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB