Ndërron jetë në moshën 76-vjeçare moderatorja e njohur italiane, Enrica Bonaccorti, fillimet nga teatri deri në majat e televizionit italian

12/03/2026 11:03

Prezantuesja, aktorja dhe autorja italiane Enrica Bonaccorti ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare.

E lindur në Savona, ajo vuante nga kanceri në pankreas, sëmundje të cilën e kishte bërë publike shtatorin e vitit të kaluar. Në një rrëfim të sinqertë për publikun, Bonaccorti kishte pranuar se diagnoza e kishte tronditur, duke treguar se nuk kishte shumë shpresë për shërim.

Me një karrierë që shtrihet për më shumë se pesë dekada, Bonaccorti ishte një nga fytyrat më të njohura të televizionit italian. Ajo e nisi rrugëtimin artistik në vitet ’70 si aktore teatri dhe filmi, përpara se të bëhej një nga prezantueset më të dashura të publikut. Popullaritet të madh fitoi me programin Italia Sera, që e drejtoi fillimisht me Mino Damato dhe më pas me Piero Badaloni. Ky emision u bë një nga formatet më të rëndësishme informative të kohës dhe e konsolidoi Bonaccortin si një figurë të rëndësishme të ekranit.

Më pas ajo mori drejtimin e programit të njohur Pronto, chi gioca?, duke zëvendësuar një ikonë të televizionit si Raffaella Carrà. Edhe pse shumë figura të njohura kishin refuzuar ta merrnin këtë rol, Bonaccorti arriti ta kthejë programin në një sukses, duke sjellë shifra shumë të larta shikueshmërie.

Karriera e saj nuk ishte pa vështirësi. Një polemikë e madhe shpërtheu kur ajo njoftoi shtatzëninë drejtpërdrejt gjatë transmetimit. Në atë kohë u kritikua për përdorimin e televizionit publik për çështje personale dhe u përball me reagime të ashpra nga media. Pas kësaj periudhe ajo u largua nga RAI dhe kaloi te Mediaset, ku në vitin 1991 u bë pjesë e programit të njohur Non è la Rai.

Përveç televizionit, Bonaccorti u mor edhe me radio, letërsi dhe muzikë. Ajo shkroi disa libra dhe ishte autore e teksteve për këngë të njohura të këngëtarit Domenico Modugno, si “La lontananza” dhe “Amara terra mia”. Në jetën personale pati një lidhje të njohur me këngëtarin Renato Zero, i cili më vonë e kujtoi atë si një person shumë të rëndësishëm në fillimet e karrierës së tij.

E njohur për stilin e saj të drejtpërdrejtë, elegancën dhe ironinë, Enrica Bonaccorti mbetet një nga figurat më të spikatura të televizionit italian, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në botën e medias dhe argëtimit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB