Të shtëna me armë zjarri në Universitetin e Virxhinias, dy të plagosur, policia ekzekuton autorin
“Izraeli nuk kishte një plan realist për ndryshimin e regjimit kur nisi sulmet ndaj Iranit”, kanë deklaruar disa burime të sigurisë izraelite.
Sipas tyre, pritjet se bombardimet ajrore mund të nxisnin një kryengritje popullore në Iran ishin më shumë “mendime të dëshiruara” sesa të bazuara në inteligjencë të saktë.
Sipas këtyre burimeve, Irani ka arritur të mbijetojë pas gati dy javësh sulmesh ajrore dhe operacioneve që përfshinë edhe vrasjen e liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump thuhet se po shqyrton mundësinë e përfundimit të konfliktit, i cili po bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm.
Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të mbrojtjes dhe inteligjencës izraelite thonë se një nga faktorët kyç që do të përcaktojë suksesin e luftës është fati i rreth 440 kilogramëve uranium të Iranit. Sipas tyre, ky material, i mjaftueshëm për më shumë se dhjetë koka bërthamore, mund të përdoret për të përshpejtuar ndërtimin e një arme bërthamore nëse mbetet nën kontrollin e Teheranit.
“Këto 440 kilogramë uranium janë një nga testet më të qarta për të vlerësuar nëse kjo luftë mund të konsiderohet sukses”, tha një ish-zyrtar i lartë izraelit i mbrojtjes. Ai shtoi se objektivi duhet të jetë që materiali ose të largohet nga Irani, ose të mbetet nën kontroll në kushte që garantojnë se nuk do të përdoret për qëllime ushtarake.
Sipas ‘The Guardian‘, disa analistë paralajmërojnë se nëse regjimi iranian mbijeton dhe vazhdon të mbajë uraniumin e pasuruar, kjo mund të përshpejtojë përpjekjet për zhvillimin e një arme bërthamore.
Megjithatë, pavarësisht rreziqeve, fushata ushtarake kundër Iranit gëzon mbështetje të gjerë brenda establishmentit të sigurisë në Izrael. Pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, ushtria izraelite i ka dhënë përparësi eliminimit të kërcënimeve të menjëhershme, veçanërisht programit të raketave balistike të Iranit.
Sipas burimeve të sigurisë, dy javë bombardimesh kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën ushtarake të Iranit, duke shkatërruar raketa, lëshues dhe pjesë të rëndësishme të industrisë ushtarake. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse kapacitetet teknike janë dëmtuar, një vendim politik i Teheranit për të ndërtuar armë bërthamore mund të rrisë ndjeshëm kërcënimin në të ardhmen.
Ndërkohë, disa analistë izraelitë theksojnë se ndryshimi i regjimit përmes bombardimeve ajrore është një skenar shumë pak realist. Ata argumentojnë se, edhe pse fushata ushtarake mund ta dobësojë ndjeshëm Iranin, rrëzimi i qeverisë përmes presionit të jashtëm mbetet i pasigurt.
Top Channel