Video/ Ish-kryeministri indian shpëton pas një atentati me armë në një ceremoni, dëshmon autori: Prita 20 vite për këtë moment
Iran ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pasoja të rënda nëse Uashingtoni vendos të godasë infrastrukturën energjetike iraniane, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se kapaciteti elektrik i Iranit mund të shkatërrohet “brenda një ore”.
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, deklaroi se një sulm i tillë do të kishte pasoja të menjëhershme për gjithë rajonin.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social ‘X’, ai paralajmëroi se nëse SHBA ndërmerr një veprim të tillë, “i gjithë rajoni do të mbetet pa drita për më pak se gjysmë ore”.
“Nisja e një lufte është e lehtë, por ajo nuk mund të fitohet me disa postime në rrjetet sociale. Ne nuk do të ndalemi derisa t’ju bëjmë të pendoheni për këtë gabim të rëndë”, u shpreh Larijani.
Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi Trump tha se SHBA dhe Izraeli kanë neutralizuar në masë të madhe kapacitetet ushtarake të Iranit në luftën që nisi më 28 shkurt. Duke folur për gazetarët në Maryland, presidenti amerikan deklaroi se Irani nuk ka më flotë detare, forcë ajrore apo sisteme efektive kundërajrore.
Trump paralajmëroi se Uashingtoni mund të godasë sistemet energjetike të Iranit nëse vendos të intensifikojë operacionet ushtarake.
Sipas komandës amerikane, më shumë se 90 mjete detare iraniane janë dëmtuar ose shkatërruar, përfshirë mbi 60 anije dhe rreth 30 mjete për vendosjen e minave detare.
Komentet e Larijanit erdhën menjëherë pas deklaratës së parë të liderit të ri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, i cili bëri thirrje për unitet kombëtar dhe theksoi se ngushtica e Hormuzit do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve të Iranit.
Top Channel