Ka hapur dyert në Cannes të Francës panairi më i rëndësishëm ndërkombëtar i pasurive të paluajtshme, MIPIM 2026.
Në këtë aktivitet që mbledh investitorë, zhvillues dhe institucione nga e gjithë bota, Shqipëria po prezantohet me një pavijon të dedikuar që synon të promovojë potencialin e vendit në zhvillimin urban, turizëm dhe investime strategjike.
Pavijoni shqiptar i titullar “Soundscapes of Albania” është kuruar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit në bashkëpunim me Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Më shumë se 80 projekte zhvillimi janë prezantuar nga Shqiëria ku një peshë të rëndësishme zënë edhe projektet përgjatë vijës bregdetare, të cilat synojnë të tërheqin investime të reja në turizëm dhe infrastrukturë.
“Njëkohësisht përveç 83 projekteve që janë të paraqitura, janë edhe 25 makete të cilat tregojnë anën e arkitekturës së vetë projekteve. Në këtë panair janë paraqitur rreth 100 projekte, ku secili projekt ka karakteristikat e veta, zonën ku zhvillohet dhe ajo që vlen për t’u theksuar është prezenca e arkitektëve të huaj të cilët kanë bërë vetë në stendë dhe në pavijon”, u shpreh drejtoresha e AZHT Adelajda Roka.
Shqipëria është përzgjedhur edhe në Top 5 pavijonet më të mira të panairit, një vlerësim që e vendos vendin në qendër të vëmendjes së investitorëve dhe profesionistëve të sektorit të pasurive të paluajtshme.
“Emrin Shqipëri që e kemi në titull, duam të njihet edhe nga ata që nuk e njohin ose që nuk e njohin mirë, sepse për ne ky është objektivi primar. Presim të njihemi në këtë panair dhe me arkitekt të rinj dhe investitor të rinj të cilët do i prezantojmë me Shqipërinë dhe potencialet e saj”, u shpreh drejtoresha e AKT Adelina Greca.
Në këtë panair ndërkombëtar marrin pjesë mbi 20 mijë përfaqësues nga kompani zhvillimi, fonde investimi dhe institucione publike nga vende të ndryshme të botës.
Për Shqipërinë, pjesëmarrja në këtë event konsiderohet një mundësi për të promovuar projektet strategjike dhe për të tërhequr investime të huaja, në një moment kur zhvillimi urban dhe turistik po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë e vendit.
Top Channel