Ndërhyrje amerikane dhe influenca ruse për Portin e Porto Romanos? Ministri Karakaçi konfirmon anulimin e tenderit: Ofertuesi u tërhoq, do bëjmë skenar tjetër

11/03/2026 14:59

Ministri i infrastrukturës Enea Karakaçi në një deklaratë për mediat, është ndalur edhe te anulimi i tenderit për portin e ri në Porto Romano në Durrës.

Ai u shpreh se anulimi është bërë pasi është tërhequr ofertuesi për arsye ekonomike.

Karakaçi i pyetur për influencat ruse në këtë projekt, tha se këto janë vetëm aludime.  Ndërkohë pyetjes nëse ka pasur një shqetësim nga amerikanët për këtë tender dhe a u është kërkuar anulimi, ministri tha se kushdo ka të drejtë që të shprehë opinionin e tij, por sipas ministrit projekti për portin është bërë me standardet ndërkombëtare.

“Kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm në garë, me arsye ekonomike. Me rritjen e kostove dhe krizës, ka rritje të kostove totale. Ofertuesi ka bërë tërheqje duke u justifikuar për qëllime ekonomike.

Komisioni do vijojë me procedurën. Para dy ditësh kryeministri u shpreh për këtë projekt, e tha qartë që ka aktorët që përpiqen ta frenojnë dhe sabotojnë këtë projekt për qëllime të ndryshme.

Patjetër do ndërtojmë një skenar tjetër në bashkëpunim me qeverinë, dhe çdo faktor tjetër s’mund ta prekë këtë projekt shumë të rëndësishëm.

E kam lexuar në email, por theksoj se projekti ka mbi dy vite që është ideuar dhe ka fazat e veta. Është me standarde ndërkombëtare, por patjetër që opinione mund të ketë kushdo.

Vonesa në projektet e tjera sepse Marina ka disa faza, dhe kontraktori është duke punuar në fazën që nuk ka lidhje me këtë”, u shpreh ministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB