“Greqia po hap një faqe të re”/ Pas deklaratës së kryeministrit Mitsotakis për energjinë bërthamore, reagojnë ashpër deputetët Në ditën e 12 të luftës në Lindjen e Mesme, i gjithë konflikti u zhvendos te Ngushtica e Hormuzit, pika më e madhe e kalimit të naftës në botë, që po sjell pasoja globale.
Kërcënimit të Iranit se nuk do të lejojë asnjë pikë naftë të kalojë nga Hormuzi, iu kundërpërgjigj menjëherë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila pas një takimi të jashtëzakonshëm vendosi lirimin e rezervave në një total prej 400 milionë fuçi naftë bruto, lirimi më i madh në historinë e saj. Ky vendim u miratua unanimisht nga të 32 vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
“Sfidat me të cilat po përballet tregu i naftës janë të pashembullta, prandaj jam shumë i kënaqur që vendet anëtare të Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë janë përgjigjur me një veprim emergjent me përmasa të pashembullta”.
Vendimi erdhi pas deklaratës së lëshuar të mërkurën nga Irani, i cili paralajmëroi kundërshtarët të përgatiten “pasi fuçia e naftës do të jetë 200 dollarë”.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë njoftoi se rezervat e emergjencës do të vihen në dispozicion të tregut gjatë një “afati kohor që është i përshtatshëm për rrethanat kombëtare” të secilit vend anëtar.
Këto të fundit mbajnë rezerva emergjente prej më shumë se 1.2 miliardë fuçi, me 600 milionë fuçi të tjera rezervash industriale të mbajtura nën detyrimin e qeverisë.
Ndërkohë, gjatë ditës tre anije u goditën nga predha të panjohura në ngushticën strategjike të Hormuzit, dy prej të cilave pësuan dëmtime, ndërsa një tjetër, që u identifikua si transportuese e mallrave tajlandeze, u përfshi nga flakët, duke detyruar ekuipazhin të evakuohej.
Ushtria e Iranit tha se çdo anije që i përket Shteteve të Bashkuara, Izraelit ose aleatëve të tyre që kalon nëpër ngushticën e Hormuzit mund të jetë në shënjestër. Ndërkohë, po të mërkurën burime bënë të ditur për Reutres se Irani ka vendosur rreth një duzinë minash në Hormuz.
Top Channel