Inside Story/ Një biznesmen 7 licensa, si u përqendruan investimet për energjinë diellore në pak duar
Shqipëria po kalon nga varësia e energjisë elektrike e prodhuar nga hidrocentralet, tek diversifikimi përmes fotovoltaikëve apo parqeve eolike.
Vendi synon që deri në vitin 2030 të arrijë një pjesëmarrje të energjisë së rinovueshme prej mbi 54% në konsumin final bruto. Rrezatimi diellor varion nga 1185 kilovat-orë për metër katror në vit, deri në 1700 kilovat-orë për metër katror në vit. Në pjesën jugore të vendit, në kushte moti të mirë, mund të arrijë deri në 2200 kilovat-orë.
“Në vendet kryesore të BE energjia prodhohet kryesisht nga termocentralet dhe ata e kanë me prioritet prodhimin sadopak të energjisë me fotovoltaikët për të pasur energjinë e pastër. Ne nuk e kemi këtë problem sepse aktualisht prodhojmë gati 98% të energjisë në vendin tonë nga hidrocentralet, pra ne e kemi energjinë të pastër”, u shpreh inxhinieri, Azmer Dulevic.
Ky zhvillim ka sjellë edhe shqetësime në lidhje me natyrën dhe përdorimin e qëndrueshëm të tokës, përfshirë ndikimet negative në habitate, në fondet pyjore, kullota dhe larminë biologjike. Në dhjetor 2024, hynë në fuqi ndryshimet në ligjin ‘Për fondin kullosor’. Neni 17, pika 6, parashikoi që sipërfaqja e dhënë për fotovoltaik mund të hiqet nga fondi kullosor. Në praktikë, kjo do të thotë se sipërfaqja humbet funksionin e saj fillestar dhe përdorimi i tokës ndryshon nga natyror në industrial, duke sjellë pasoja për mjedisin.
“Për të ndërtuar një park fotovoltaik me dy mega kapacitet duhet që për ta instaluar, duhet që për mega të paktën të kesh 1 hektar tokë në dispozicion; në rastet kur kemi të bëjmë me kullota ndoshta duhet të kesh edhe pak më shumë për shkak të terrenit jo të sheshtë”, u shpreh gazetari, Emirjon Senja.
Të dhënat tregojnë se 24% e sipërfaqes së tokës është bujqësore, 36% pyjore, 16% kullosore dhe rreth 24% përfshin përdorime të tjera, si urbane, pa frut dhe sipërfaqe ujore të brendshme. Një studim i zhvilluar në Bashkinë Kolonjë dhe Devoll për integritetin mjedisor në përdorimin e tokës nga “All Green Centre”, arrin në përfundime të cilat janë shqetësuese për banorët.
Zhvillimi i parqeve fotovoltaike në sipërfaqet pyjore dhe kullosore po ndjek të njëjtin trend konfliktual, duke tkurrur më tej sipërfaqet natyrore.
Autoritetet lokale e paraqesin dhënien me qira si një përdorim të përkohshëm të fondit pyjor dhe kullosor, por realiteti teknik dhe ekonomik i parqeve fotovoltaike e kundërshton këtë pretendim.
Një central diellor funksionon mesatarisht 25–30 vjet dhe kërkon investime që nuk amortizohen brenda 10 viteve të kontratës së qirasë. Për këtë arsye, kontratat 10-vjeçare praktikisht nënkuptojnë rinovim automatik dhe përdorim afatgjatë, duke e shndërruar në praktikë një qira të përkohshme në një përdorim shumëvjeçar të ngjashëm me tjetërsimin e pronës.
Si rrjedhojë, tokat humbasin funksionet e tyre natyrore dhe shndërrohen në zona industriale, duke cenuar ekuilibrin ekologjik dhe aksesin e blegtorëve lokalë në burimet e kullotave.
Top Channel