Trump kritikon liderin e ri të Iranit: Emërimi i Mojtaba Khameneit gabim i madh

10/03/2026 07:32

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj përzgjedhjes së Mojtaba Khamenei si udhëheqësi i ri suprem i Iran, pas vdekjes së babait të tij Ali Khamenei në goditjet e para të luftës.

Duke folur me gazetarët në Florida, Trump u shpreh i “zhgënjyer” nga vendimi i udhëheqjes iraniane dhe e cilësoi zgjedhjen e Mojtaba Khameneit si një “gabim të madh”. Sipas tij, kjo trashëgimi tregon se regjimi në Teheran nuk synon të ndryshojë kursin e tij ndaj SHBA-së dhe Perëndimit.

Në një deklaratë për NBC News, presidenti amerikan tha se nuk është e sigurt nëse lidershipi i ri “do të zgjasë”, duke lënë të kuptohet se zgjedhja e klerikut 56-vjeçar mund të sjellë probleme të reja për vendin.

Trump kishte shprehur që më parë kundërshtimin e tij ndaj një skenari të tillë. Në intervista për Reuters dhe Axios ai kishte deklaruar se “djali i Khameneit është i papranueshëm” dhe se SHBA dëshiron një udhëheqës që mund të sjellë “harmoni dhe paqe në Iran”.

Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se Uashingtoni dëshiron të ketë rol në procesin e formësimit të udhëheqjes së ardhshme në Iran pas luftës, duke argumentuar se vendi duhet të drejtohet nga një person i aftë për të ndryshuar kursin në mënyrë paqësore.

I pyetur nëse Mojtaba Khamenei mund të jetë një objektiv i mundshëm, Trump shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke thënë se do të ishte “e papërshtatshme” të komentonte publikisht për këtë çështje. Megjithatë, ai paralajmëroi se çdo udhëheqës i ri iranian që nuk ka “miratimin” e Shteteve të Bashkuara “nuk do të zgjasë shumë”.

Sipas mediave ndërkombëtare si Reuters dhe Associated Press, ngritja e Mojtaba Khameneit shihet si një shenjë se linja e ashpër mbetet dominuese në sistemin politik iranian. Kleriku konsiderohet prej kohësh një pretendent kryesor për trashëgiminë dhe ka lidhje të forta me Gardën Revolucionare Islamike.

Reagimi i Trumpit përforcon mesazhin e Uashingtonit se SHBA nuk e sheh udhëheqësin e ri suprem si një ndryshim real në politikën e Teheranit dhe se pret zhvillime të tjera në strukturën e pushtetit në Iran.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB