Transferimi i talentit brazilian te Milani në rrezik, Corinthians bllokon marrëveshjen pas interesimit të Benficës

10/03/2026 18:14

Transferimi i mesfushorit të ri brazilian André drejt Milanit dukej vetëm çështje detajesh, por situata ka ndryshuar papritur duke shkaktuar pakënaqësi te drejtuesit e klubit italian.

Rossonerët thuhet se madje kishin paralajmëruar se mund ta çonin çështjen deri në FIFA nëse marrëveshja nuk do të respektohej.

Sipas raportimeve të fundit, operacioni për transferimin e talentit është pezulluar për momentin. Presidenti i Corinthians, Omar Stabile, ka vendosur të bllokojë negociatat pasi trajneri Dorival Júnior ka kundërshtuar fuqishëm largimin e lojtarit, madje duke kërcënuar edhe me dorëheqje nëse transferimi realizohej.

Milani ishte shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për një shifër që varionte nga 13 deri në 14 milionë euro për mesfushorin e lindur në vitin 2006. Megjithatë, Dorival Júnior i ka bërë të qartë presidentit të klubit se vlera e lojtarit mund të jetë shumë më e lartë në treg.

Ndërkohë, sipas burimeve braziliane, në garë është futur edhe Benfica, e cila raportohet se është gati të ofrojë rreth 20 milionë euro për kartonin e lojtarit nga Corinthians.

Vetë André ka preferuar të mbajë një qëndrim të qetë për situatën. Në një deklaratë për GloboEsporte, ai u shpreh: “Jam shumë i qetë. Përqendrimi im është 100% këtu te Corinthians.”

Megjithatë, mesfushori nuk e ka fshehur admirimin për klubin italian: “Nëse do të shkoja në Milano, do të ishte një ëndërr. Por të luash për Corinthians është gjithashtu një ëndërr që e kam pasur gjithmonë që kur isha fëmijë, madje edhe më shumë tani si profesionist.”

Për momentin, e ardhmja e talentit brazilian mbetet e paqartë, ndërsa Milani, Benfica dhe Corinthians pritet të vazhdojnë betejën për të ardhmen e tij në merkato.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB