Teherani akuzon SHBA dhe Izraelin, ministri i Jashtëm iranian: Nuk kanë një plan realist për luftën

10/03/2026 09:57

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nuk kanë një strategji të qartë apo një qëllim përfundimtar realist në përballjen me Iranin.

Në një intervistë për transmetuesin amerikan PBS News, Araghchi tha se, sipas tij, SHBA dhe Izraeli nuk kanë arritur objektivat e tyre deri tani dhe nuk kanë një plan të qartë për zhvillimet e mëtejshme.

Ai u pyet edhe për mundësinë e negociatave me Uashingtonin, por u shpreh skeptik, duke thënë se Irani ka një “përvojë shumë të hidhur” nga bisedimet e mëparshme me amerikanët dhe nuk beson se negociatat janë aktualisht në tryezë.

Sa i përket rritjes së çmimeve të naftës, ministri iranian tha se Teherani nuk mban përgjegjësi për këtë situatë dhe fajësoi sulmet e ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli. Ai shtoi se Iran nuk e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe nuk po pengon lundrimin në këtë korridor të rëndësishëm energjetik.

Araghchi komentoi edhe për viktimat civile, duke pranuar se mund të ketë pasur “dëme anësore”, por theksoi se sulmet iraniane nuk kanë pasur në shënjestër objektiva civile.

Në intervistë ai foli gjithashtu për emërimin e Mojtaba Khamenei, duke e cilësuar atë si një “vazhdimësi” të politikave të udhëheqësit suprem Ali Khamenei dhe një faktor stabiliteti për vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB