‘Irani është i izoluar dhe po humbet terren’, Sekretari Amerikan Hegseth: I takon Trumpit të vendosë se kur do të përfundojë lufta
Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të socialistëve për të mos autorizuar arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në konferencën për shtyp, Bardhi tha se qeveria po mbron korrupsionin dhe po sulmon drejtësinë, duke e penguar të bëjë punën e saj.
“Në Shqipërinë e Edi Ramës po ndodh një përmbysje e madhe: korrupsioni paraqitet si viktimë, ndërsa drejtësia shpallet fajtore. Dhe këtë përmbysje e pamë qartë në çështjen e Belinda Ballukut, të trajtuar nga avokati/peng i saj, kryeministri në detyrë Edi Rama. Në vend që të përgjigjej për provat e SPAK-ut dhe abuzimet me 11 tenderat prej 1.1 miliardë euro, Kryeministri zgjodhi të sulmojë drejtësinë dhe të përdorë Parlamentin për ta penguar atë.
Objektivi kryesor i Edi Ramës ishte viktimizimi i Belinda Ballukut, qeverisë së tij dhe atij vetë, duke u përpjekur të diskreditojë prokurorin e çështjes dhe SPAK-un, si dhe të minimizojë rëndësinë e provës së përgjimeve. A nuk është qesharak dhe i pabesueshëm një kryeministër që flet për linçim politik të partisë në pushtet nga i njëjti sistem, me të cilin mburrej se e kishte ngritur vetë për të shkuar edhe deri në zyrën e tij? Por Edi Rama ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Ai flet për pavarësi të drejtësisë, por voton kundër kërkesës së SPAK-ut për të lejuar arrestimin e bashkëpunëtores më të afërt të tij.
Kam parë me qindra komente në rrjete sociale, dje dhe sot. E kuptoj që shumë njerëz janë të zhgënjyer nga vendimi i Edi Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe aktet korruptive të qeverisë së tij. Por për të gjithë të zhgënjyerit kam një mesazh: prej sot, shikojeni Edi Ramën ai që është në të vërtetë, një mbrojtës politik i korrupsionit, të cilit tani i ka rënë maska 10-vjeçare e arkitektit të reformës në drejtësi.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë se vendimi i Edi Ramës për t’u bërë avokat i korrupsionit nuk është marrë dje. Ky vendim nuk ka asnjë lidhje me ndonjë fakt juridik, sepse provat janë aty. Ky është një vendim politik i marrë që ditën e parë të ngritjes së akuzës. Është një vendim i paracaktuar, njësoj si tenderat për të cilat është marrë e pandehur dhe po hetohet Belinda Balluku.
Qytetarët meritojnë të dinë gjithashtu se, për herë të parë që nga krijimi i SPAK-ut, një kërkesë e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për hetimin e abuzimit me fondet publike në nivelet më të larta të pushtetit po refuzohet politikisht nga shumica parlamentare, jo mbi bazën e një analize juridike, por mbi bazën e një mbrojtjeje të hapur politike nga Kryeministri i vendit.
Të gjithë e pamë se Edi Rama përgojoi këdo dhe bëri pis gjithçka që e çon drejtësinë nga Belinda tek ai vetë, por në 80 minuta fjalim ai nuk përmendi asnjëherë provat reale të Prokurorisë së Posaçme. Janë me mijëra mesazhe të Belinda Ballukut me vartësit e saj ku ajo ndërhyn në tendera në mënyrë të paligjshme për të favorizuar një kompani, ose për t’ia hequr të drejtën një kompanie tjetër.
Në rastin e tunelit të Llogarasë, është krejt e qartë se tenderi u prish që ta fitonte më vonë kompania turke, ajo që Edi Rama dhe Belinda Balluku kishin takuar në Turqi.
Është po aq e qartë porosia e dhënë prej Edi Ramës dhe e cituar prej Belinda Ballukut që një tender tjetër ta marrë një biznesmen i caktuar. Janë këto mesazhe që e mbajnë peng Edi Ramën. Janë këto mesazhe që shpjegojnë edhe frikën e tij sot. Është sistemi korruptiv që ai ka krijuar, i cili e detyron të dalë hapur kundër SPAK-ut. Jo se iu hap barku për Belinda Ballukun. Jam i bindur se do të donte një mijë herë të shpëtonte prej saj. Por Edi Rama po refuzon arrestimin e saj dhe po linçon prokurorin, në mënyrë që SPAK-ut të mos i shkojë ndër mend më të kërkojë arrestime të tjera apo, akoma më keq, të mos kërkojë arrestimin e vetë Edi Ramës.
Kryeministri po përpiqet të fshehë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat ishin të dobëta, por sepse provat të çojnë, herët a vonë, tek Edi Rama.
Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16 mijë faqe, por 166 mijë faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim. Sepse ky nuk ishte një vendim juridik. Ishte një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij, veten e tij. Parimi europian që Edi Rama dështoi ta përmbushë në këtë rast është shumë i thjeshtë: në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që ka. Shqipëria nuk ka nevojë për një Parlament që përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë. Shqipëria ka nevojë për institucione që garantojnë barazinë para ligjit. Të dashur qytetarë,Dua të ndaj me ju një mendim që më erdhi ndërsa po lexoja raportin e mazhorancës në mbrojtje të 11 tenderave abuzivë për të cilat akuzohet Belinda Balluku. Në dhjetor të vitit 2014, kur Edi Rama ju mashtronte se “po bënte shtet”, një kryefamiljar në varfëri ekstreme u burgos sepse nuk paguante dot energjinë elektrike. Ishte koha kur Edi Rama rraste në burg këdo dhe nuk shqetësohej si sot për mbingarkesën e qelive të paraburgimit.
Ky kryefamiljar, nga dëshpërimi se nuk mund të paguante dot as për të dalë nga burgu, as faturat e energjisë, vrau veten. Raste ekstreme pati me qindra gjatë asaj periudhe, por përgjigjja e Edi Ramës atëherë ishte “barazia para ligjit”. Sot, kur ligji ka trokitur në paradhomën e tij, Edi Rama ka ndryshuar standard. Për Belindën që ka abuzuar me të paktën 1.1 miliardë euro, ligji nuk mund të jetë kaq i barabartë sa për të gjithë të tjerët.
Çfarë mesazhi u kemi dërguar sot vendeve të Bashkimit Europian, që na kërkojnë sundimin e ligjit dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta? E them me bindje: jo pasaportë europiane, por as pasaportë iraniane nuk marrim me këtë standard, ku hetimi nuk përcaktohet nga prokuroria, por nga Gjykata supreme e mazhorancës qeverisëse. Sepse nga dje sistemi i drejtësisë në vend sipas vizionit të Ramës ka këtë hierarki:
Gjykata e shkallës së pare; Apeli; Gjykata e Lartë; Gjykata Kushtetuese; Grupi parlamentar i Partisë Socialiste Prandaj sot është e konfirmuar edhe zyrtarisht ajo që kemi thënë që në fillim: Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të vendit. Edi Rama as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë kurrë në gjendje të qeverisë pa mbrojtur korrupsionin. Dhe kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, qytetarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt”-u shpreh Bardhi.
Top Channel