Europa “roje” për cisternat me naftë, Anglia, Gjermania dhe Italia do dërgojnë anije për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit

10/03/2026 19:42

Kompania shtetërore e naftës në Arabinë Saudite paralajmëroi pasoja katastrofikë për tregjet botërore të naftës, nëse lufta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit me Iranin vazhdon të bllokojë transportin detar në ngushticën e Hormuzit.

Dërgesat e naftës nga Lindja e Mesme janë bllokuar nga kalimi nëpër Hormuz, që kur SHBA-të sulmuan Iranin, duke zhdukur rreth 20 milionë fuçi naftë nga tregu global çdo ditë. Përballë ngërçit të krijuar, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia njoftuan të martën se po punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje. Tre fuqitë e mëdha evropiane po punojnë për kalimin e anijeve tregtare të naftës në Hormuz, pika më strategjike e tregtimit të karburanteve në botë.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka rënë dakord me Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, për të “punuar ngushtë së bashku”, ku si plan për t’i dhënë zgjidhje situatës është edhe shoqërimi i cisternave të naftës me anije luftarake. Një zëdhënës i Starmer tha se kryeministri foli me udhëheqësit e Gjermanisë dhe Italisë “rreth situatës në Lindjen e Mesme, duke diskutuar Ngushticën e Hormuzit”.

“Ata ranë dakord për rëndësinë jetike të lirisë së lundrimit për anijet përmes këtyre ujërave. Ata ranë dakord të punojnë ngushtë së bashku në ditët në vijim përballë kërcënimeve iraniane”, njoftoi zëdhënësi i Starmer. Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar po “punon me aleatët mbi një sërë opsionesh për të mbështetur transportin tregtar përmes Ngushticës, përballë kërcënimit në rritje të Teheranit”.

Nga ana e tij, kancelari gjermani, Merz, shprehu shqetësim për kohëzgjatjen e luftës në Iran dhe pasojat që do të ketë, edhe në vendet evropiane. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk kanë një plan për t’i dhënë fund konfliktit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB