Dorëheqje e papritur në SHBA, Presidenti i Universitetit Shtetëror të Ohajos largohet pas raportimeve për marrëdhënie të papërshtatshme

10/03/2026 08:14

Dorëheqja e papritur e presidentit të Ohio State University, Ted Carter, ka shkaktuar reagime të shumta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi dyshohet se lidhet me një marrëdhënie të ngushtë me një prezantuese podkasti me origjinë greke.

Carter, 66 vjeç, njoftoi largimin e tij nga drejtimi i universitetit pasi pranoi para bordit të administratorëve se i kishte dhënë “qasje të papërshtatshme në administratën e universitetit” një gruaje që po kërkonte ndihmë për biznesin e saj personal. Në deklaratën e tij ai e cilësoi këtë si një gabim dhe la të kuptohej se bashkëshortja e tij, me të cilën është i martuar prej gati 45 vitesh, vazhdon ta mbështesë.

Sipas raportimeve të NBC4, rasti mund të lidhet me Chrysanthi Vlachos, prezantuese e “Callout Podcast”, një emision që i drejtohet kryesisht komunitetit të veteranëve.

Edhe organizata JobsOhio konfirmoi se ishte informuar për dorëheqjen e Carter dhe se çështja mund të lidhet me një marrëdhënie mes tij dhe prezantueses së podkastit, i cili kishte përfituar fonde për aktivitetet e tij. Organizata theksoi se financimi ishte pjesë e përpjekjeve për të mbështetur komunitetin e veteranëve dhe se procesi ishte kryer sipas procedurave standarde.

Ohio State University është universiteti i gjashtë më i madh në SHBA, me mbi 60 mijë studentë dhe një reputacion të fortë në sport dhe në fushën e mjekësisë përmes qendrës së tij të njohur mjekësore. Si president i institucionit, Carter menaxhonte një buxhet për vitin fiskal 2026 me të ardhura rreth 11.5 miliardë dollarë dhe shpenzime rreth 10.9 miliardë dollarë.

Vetëm pak muaj më parë bordi i universitetit dukej i kënaqur me performancën e tij. Në gusht të vitit të kaluar ai mori një rritje page mbi 50 mijë dollarë, duke e çuar pagën vjetore në rreth 1.1 milion dollarë, si dhe një bonus prej afro 400 mijë dollarësh.

Në muajt e fundit Carter ishte shfaqur shpesh në podkastin e Vlachos. Sipas postimeve në rrjetet sociale, ai kishte marrë pjesë në disa episode dhe në aktivitete të organizuara për komunitetin e veteranëve, përfshirë një event në Colorado Springs në janar 2026.

Në njoftimin e dorëheqjes së tij, Carter nuk dha detaje të tjera për natyrën e marrëdhënies apo rrethanat që çuan në vendimin për t’u larguar, ndërsa Vlachos nuk iu përgjigj kërkesave të mediave për koment.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB