Kreu i PD-së, Sali Berisha, priti sot në selinë blu deputetin e Bundestagut gjerman, Peter Beyer (CDU), njëkohësisht drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun gjerman.
Pas takimit, ata dhanë një prononcim për gazetarët, ku zbardhën diskutimet mes tyre. Berisha tha se e njoftoi deputetin gjerman për ‘bllokimin e drejtësisë’.
“E njoha me pengesat e mëdha serioze me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelave të drogës, dhe vështirësi të tjera që ne përballemi dhe vendosmërinë tona për të vazhduar përpjekjen në këtë vend. Faleminderit zotit Bayer për interesin dhe mbështetin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët.”, tha Berisha.
Beyer u shpreh se duhet transparencë në sistemin gjyqësor ndërsa shtoi se do ketë bashkëpunim për integrimin europian.
“Sapo patëm një bisedë shumë frytdhënëse dhe konstruktive. Diskutuam për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, një vend që shpeshherë përmendet si një nga vendet kryesuese në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, nga këndvështrimi i Berlinit, ne shohim gjithashtu disa sfida dhe zhvillime të fundit në këtë vend, veçanërisht sa i përket çështjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë.
Unë personalisht e kam shoqëruar ministrin e Jashtëm të Gjermanisë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në muajin nëntor. Gjatë asaj vizite ne vizituam edhe SPAK-un dhe zhvilluam biseda me disa përfaqësues të tij, si edhe me anëtarë të qeverisë.
Kjo vizitë që po zhvillojmë këto ditë, unë kam mbërritur këtu të dielën në mbrëmje dhe do të largohem nga ky vend i bukur, Shqipëria, nesër, është në fakt një mision zyrtar vijues pas vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman në këtë vend.
Në diskutimet tona kemi trajtuar disa nga sfidat që ekzistojnë. Si qeveri gjermane, edhe pse unë personalisht nuk jam pjesë e qeverisë, por i përkas partisë së kancelarit, ne gjithashtu i përkasim familjes politike të Partisë Popullore Europiane (EPP). Kjo do të thotë se kemi një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi.
Unë përgëzoj Partinë Demokratike të Shqipërisë që qëndron fort për vlerat dhe parimet themelore, si dhe për kriteret e Kopenhagës. Këto kritere nuk janë shpikur për të detyruar apo për të ushtruar presion mbi askënd, por për të qenë shumë produktive dhe shumë të dobishme për shoqërinë dhe për qytetarët e Shqipërisë.
Këto ishin disa nga pikat kryesore të diskutimit që patëm. Një Parti Demokratike e fortë dhe një opozitë e fortë janë thelbësore për të ardhmen e demokracisë në këtë vend.
Prandaj ne shtrijmë një dorë bashkëpunimi dhe ofrojmë mbështetjen tonë. Diskutuam gjithashtu se çfarë mund të bëjmë më shumë për të siguruar një perspektivë shumë të mirë dhe një të ardhme të mirë për Shqipërinë, për popullin shqiptar dhe për sistemin politik të këtij vendi.
Kjo, sigurisht, lidhet edhe me nevojën për një qasje shumë të qartë, transparente dhe të hapur sa i përket sistemit të drejtësisë në këtë vend. Për këtë kemi folur dhe kemi shqyrtuar se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku për përmirësimin dhe për të mirën e qytetarëve shqiptarë.
Unë jam gjithmonë i lumtur të jem në këtë vend dhe do të rikthehem përsëri.
Jam gjithashtu shumë i lumtur që javën e ardhshme do të mirëpres dhe do të pres në Berlin disa nga deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, mes tyre edhe zonjën Jorida Tabaku. Ku jeni, Jorida? Miq të mirë. Ju jeni këtu.
Kemi një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi dhe miqësie dhe punojmë së bashku drejt integrimit europian.
Dhe kjo është baza, themeli mbi të cilin mbështetet miqësia jonë.“, tha ai.
Top Channel