Transportonin emigrantë të paligjshëm drejt Italisë për 2500 euro, arrestohen tre persona në Tiranë

08/03/2026 09:41

Tre persona janë arrestuar nga policia pasi dyshohen se transportonin emigrantë të paligjshëm që synonin të kalonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian kundrejt pagesës.

Në pranga ranë shtetasit H. S., 28 vjeç, H. Dh., 43 vjeç dhe H. M., 28 vjeç.

Dy prej tyre, H. S. dhe H. Dh., u kapën në flagrancë nga shërbimet e policisë pranë rrethrrotullimit të Rinasit, teksa transportonin me automjet pesë emigrantë. Sipas hetimeve paraprake, emigrantëve u ishte premtuar kalimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian, me destinacion final Itali, kundrejt pagesës prej 2500 eurosh për person.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi H. M. merrej me organizimin dhe grumbullimin e emigrantëve që do të transportoheshin në mënyrë të paligjshme.

Policia bëri të ditur se është sekuestruar automjeti i përdorur për transportimin e emigrantëve, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokuroria e Tiranës për të identifikuar dhe persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB