LIVE/ Lufta në Lindjen e Mesme, Izraeli sulmon objektet e naftës në Teheran, Irani raporton për katër të vdekur, viktima edhe në sulmin në Liban, Trump: S’kemi nevojë për Starmer
Një tërmet me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter është regjistruar në Greqinë veriperëndimore, pranë kufirit me Shqipërinë, sipas të dhënave të Institutit Gjeodinamik të Athinës.
Lëkundja sizmike ndodhi në orën 05:32:30 sipas kohës lokale, në një thellësi rreth 5 kilometra. Epiqendra u lokalizua rreth 10 kilometra në veriperëndim të Lepokarisë në Thesproti, shumë pranë kufirit greko-shqiptar.
Tërmeti u ndje në disa zona të Epirit dhe Thesalisë, si edhe në disa ishuj të Detit Jon. Sipas presidentit të Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen Antisizmike (OASP), sizmologut Efthymis Lekkas, thellësia relativisht e vogël e tërmetit e bëri lëkundjen më të ndjeshme për banorët e zonës.
Pas tërmetit kryesor janë regjistruar edhe disa pasgoditje, përfshirë një lëkundje me magnitudë 4.7 Rihter dhe një tjetër 3.4 Rihter. Sipas ekspertëve, këto mund të jenë një tregues pozitiv, ndërsa pritet të konfirmohet nëse lëkundja 5.4 Rihter ishte tërmeti kryesor.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos përdorin banesat që mund të kenë pësuar edhe dëmtime minimale, derisa të kryhen kontrollet nga specialistët.
Prefekti i Epirit, Aleksandros Kahrimanis, deklaroi se pasgoditjet po vazhdojnë, por deri tani nuk janë raportuar dëme serioze. Ai tha se tërmeti është ndjerë veçanërisht i fortë në komunën e Zitsas.
Ndërkohë, nënkryetari për Mbrojtjen Civile i bashkisë së Janinës, Efthimios Hrisostomu, bëri të ditur se shumë banorë dolën të frikësuar jashtë shtëpive. Në disa zona u raportuan edhe ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
“U zgjuam menjëherë nga shtrati, zhurma ishte shumë e fortë dhe u trembëm shumë”, tha një banor i fshatit Grameno në rajonin e Janinës.
Sipas të dhënave sizmologjike, pas tërmetit kryesor në orën 05:36:28 u regjistrua një tjetër lëkundje me magnitudë 4.7 Rihter në thellësinë 12.9 kilometra. Më pas janë shënuar edhe të paktën gjashtë pasgoditje të tjera me magnitudë nga 2.4 deri në 3.5 Rihter.
Deri tani nuk janë raportuar dëme në Thesproti, Janinë apo në jug të Shqipërisë. Në kilometrin e 34 të autostradës Egnatia, pranë Eleftherohorit, janë regjistruar vetëm rrëshqitje të vogla dheu, pa ndikuar në qarkullimin e automjeteve.
Sizmologu Akis Tselentis theksoi se aktiviteti sizmik i regjistruar deri tani konsiderohet normal. Sipas tij, gjatë shtatë ditëve të fundit në zonën e Lepokarisë janë regjistruar 28 lëkundje më të vogla deri në 2.5 Rihter, pjesë e aktivitetit të zakonshëm sizmik të rajonit.
Top Channel