“Segmenti i vjetër, rrëshqitja fenomen natyror”, Rama pas inspektimit të rrugës në Përrenjas: Më vjen keq që banorëve iu prish ritmi i jetës

07/03/2026 14:15

Kryeministri Edi Rama po inspekton ditën e sotme rrugën provizore në aksin Librazhd-Prrenjas që tashmë është i stabilizuar.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se arsyeja e prishjes së aksit Librazhd-Prrenjas ishte sepse rruga ishte e vjetër, dhe sipas kryeministrit rrëshqitja lidhej me një fenomen tërësisht natyror.

“U përfol se gjoja rruga u shemb nga korrupsioni, por është shumë e qartë se segmenti ishte i vjetër dhe rrëshqitja lidhej me një fenomen tërësisht natyror. Jetojmë në një kohë kur, siç thotë fjala e popullit, gënjeshtra e bën xhiron e botës sa e vërteta ende nuk ka veshur pantallonat. Kjo është një eksperiencë e përditshme.

E vërteta në fund gjithmonë del dhe fiton, duhet vetëm durim dhe këmbëngulje. Mua më vjen keq që kjo gjë ka prishur ritmin e jetës për shumë banorë, por në çdo rast ne sot jemi këtu për t’ju qartësuar edhe mbi afatet e reja që i kemi vënë vetes.

Jemi shumë të vetëdijshëm për dëmin, për pengesat dhe për të garantuar që puna vazhdon pa pushim që ta bëjmë sa më shpejt korrigjimin e këtij segment dhe mbylljen e kësaj plage. Do e bëjmë shpejt, por mirë. Nuk mund të bëhen brenda ditës, sa më shpejtë por mirë. Që kjo plagë të mbyllet përfundimisht”, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB