Një vit më parë u vlerësua si i dalluar/ Shefi i krimeve Rezart Kuçi i përfshirë te grupi i Hajrullës, ndërhynte në TIMS për llogari të krimit

07/03/2026 23:35

Një nga grupet kriminale më të fuqishme në Vlorë u shënjestrua këtë të shtunë nga SPAK.

SPAK dhe BKH, të mbështetura nga policia e Shtetit dhe policia e Vlorës zbarkuan në zonën e Ujit të Ftohtë me urdhër-arrestin në dorë për Ines Hajrullën dhe grupin e tij kriminal.

Mes 8 urdhër-arresteve ishte edhe për Rezart Kuçin, i cili në Vlorë ka shërbyer më herët si shef krimesh. Ai akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar Rezart Kuçi, me detyrë oficer policie, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke: siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike, nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin, përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal si dhe duke përdorur komunikim të koduar në aplikacionin SKYECC.

Vetëm një vit më parë, Kuçi u shfaq në ceremonitë zyrtare duke u nderuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me certifikatë për “Shërbime të Dalluara”, ndërsa tani do duhet të përballet me drejtësinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB