Mësuesja që s’heq shkumësin, Sanie Korini, 26 vite mes fizikës dhe pasionit për mësimdhënien

07/03/2026 16:14

Sanie Korini ka më shumë se 26 vite që ushtron profesionin e mësueses.

Tabela e zezë dhe shkumësi është për të identitet i arsimtarit. Që pas diplomimit nisi mësimdhënie në kryeqytet me fillesat në shkollën Arben Broci, te gjuhët e huaja, në gjimnazin Ismail Qemali dhe Qemal Stafa e deri sot që ushtron detyrën si drejtoreshë shkolle përveç shpjegimit të lëndës së fizikës. Ndonëse vë re venitjen e rëndësisë së profesionit, nga lartësimi i dikurshëm.

“Nuk më ka lodhur asnjëherë puna me nxënësit, nuk e kam ndjerë dilemën që përse kam zgjedhur profesionin e mësuesit. E kam bërë gjithmonë me shume dashuri. Por ka pasur momente që kam menduar të tërhiqem, për shkak të burokracive, për shkak të mungesës së vëmendjes dhe respektit të duhur. Për mua roli i mësuesit është vendimtar. Mësuesi krijon të ardhmen”, u shpreh mësuesja.

Që prej 2013 familja e saj u zhvendos në New York, e jeta e saj prej 13 vitesh është mes Shqipërisë dhe Amerikës, pa hequr dorë asnjë vit shkollor nga nxënësit.

“Bashkëshorti im shpeshherë thotë me shaka kur na pyesin pse kjo zgjedhje: qenka e vështirë të bashkëjetosh me flamurin! Unë do të doja që Shqipërinë time të dashur ta kisha njësoj si Amerikën. E dua shumë vendin tim. Stërgjyshi im ka qenë një nga firmëtarët e qeverisë së parë në Vlorë. Backgroundi familjar është patriotik. Por nuk pres nga vendi im që të më ngjis në podium, por pres të më kthejë dashurinë që ju jap çdo ditë fëmijëve”, tha ajo.

Pasioni i 51 vjeçares për mësimdhënien e ka mbajtur të lidhur me Shqipërinë, por shkëputjen e ndjen te fëmijët e saj. Për ta dhe për fëmijët e nënave shqiptare, mësuesja Sanie Korini ka një porosi për politikanët.

“Të dy djemtë e mi kanë mbaruar gjimnazin në shkolla shqiptare. Megjithatë kam një brengë që do doja që fëmijët e mi që kanë studiuar jashtë, të vinte një moment ti kthenin sytë nga Shqipëria sepse ju detyrohen. Ndaj kam një thirrje për të gjithë klasën politike, pa dallim: Arsimi nuk është cështje politike, arsimi është cështje kombëtare”, u shpreh mësuesja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB