Irani kërkon falje, presidenti Pezeshkian: Nuk do të sulmojmë fqinjët, nëse nuk e bëjnë ata
Lufta në Ukrainë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një konflikt të teknologjisë së lartë, ku përveç dronëve ajrorë dhe mjeteve pa pilot në det, po përdoren gjithnjë e më shumë edhe robotë të armatosur në tokë.
Që nga fillimi i luftës nga Rusia në vitin 2022, konflikti me Ukrainën ka parë një rritje të madhe të përdorimit të mjeteve pa pilot. Tani ushtria ukrainase ka nisur një program të gjerë për vendosjen e automjeteve tokësore pa pilot, të njohura si UGV (Uncrewed Ground Vehicles).
Këta robotë luftarakë tashmë janë përdorur në disa operacione në front. Sipas raportimeve, ata kanë ndihmuar në zmbrapsjen e sulmeve ruse dhe madje në disa raste kanë detyruar ushtarë rusë të dorëzohen.
Oficerë të ushtrisë ukrainase thonë se në disa zona robotët luftarakë të dy palëve janë përballur mes tyre pa praninë e njerëzve në vendin e betejës. Një nga përdorimet kryesore të këtyre robotëve është montimi i armëve automatike mbi ta, përfshirë mitraloza të tipit kallashnikov. Këto mjete mund të hapin zjarr në zona ku prania e ushtarëve do të ishte shumë e rrezikshme.
Përveç kësaj, ushtria ukrainase ka përdorur edhe robotë kamikazë të pajisur me eksplozivë për të goditur pozicionet dhe strehimet e armikut. Ndryshe nga dronët ajrorë, këta robotë lëvizin në heshtje dhe janë më të vështirë për t’u zbuluar.
Megjithatë, përdorimi i tyre nuk është plotësisht autonom. Sipas komandantëve në terren, robotët mund të lëvizin dhe të identifikojnë objektiva, por vendimi për të hapur zjarr merret gjithmonë nga një operator njerëzor për të shmangur rrezikun ndaj civilëve.
Shumica e këtyre mjeteve kontrollohen në distancë përmes internetit nga operatorë që ndodhen larg vijës së frontit. Përveç armëve, ato mund të përdoren edhe për vendosjen e minave, instalimin e telave me gjemba, transportin e furnizimeve apo evakuimin e të plagosurve.
Ndërkohë edhe Rusia po zhvillon robotë të ngjashëm luftarakë, si modeli “Kuryer”, ku sipas mediave ruse mund të pajiset me flakëhedhës ose mitraloz të rëndë dhe të operojë në mënyrë autonome për disa orë.
Ekspertët paralajmërojnë se me rritjen e numrit të këtyre mjeteve në front, përplasjet mes robotëve luftarakë të të dyja palëve mund të bëhen realitet shumë shpejt, duke e bërë fushëbetejën gjithnjë e më të automatizuar.
Top Channel