Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane me akuzën e posedimit të drogës me qëllim shpërndarjen, pas një operacioni të zhvilluar në provincën e Ankonës.

Sipas autoriteteve italiane, gjatë operacionit policor u zbuluan gati 300 gramë kokainë të ndara në 343 doza, të dyshuara se ishin gati për t’u hedhur në tregun e drogës.

Operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë të Antidrogës italiane, i zhvilluar përmes survejimeve dhe ndjekjeve në qytetin e Ankonës dhe zonat përreth.

Aksioni policor u zhvillua në Piazza Rosselli, ku agjentët ndaluan automjetin e të dyshuarit dhe gjetën 25 pako me kokainë.

Hetimet kishin zbuluar më herët edhe vendin kryesor të fshehjes së drogës, ku u gjetën 274 pako të tjera të groposura pranë një rruge provinciale në Monsano. Sipas policisë, kjo sasi ishte e destinuar për tregun e shpërndarjes së drogës në qytet.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e të dyshuarit në periferi të provincës së Perugia, ku policia gjeti 44 pako të tjera kokainë, materiale për paketimin e drogës dhe rreth 7 mijë euro para në cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.

Pas arrestimit, shqiptari ende i paidentifikuar u dërgua në burgun e Carcere di Montacuto, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB