LIVE/ Një javë luftë në Lindjen e Mesme, forcat amerikane fundosin transportuesen iraniane të dronëve. Izraeli godet 26 herë Bejrutin. Trump: Pas Iranit e ka radhën Kuba
Lufta që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën kundër Iranit në orët e para të së shtunës së kaluar ka hyrë në javën e saj të parë, mes sulmeve të vazhdueshme ajrore në Teheran dhe qytete të tjera iraniane, si dhe kundërpërgjigjeve në territore izraelite dhe në disa vende të Lindjes së Mesme.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtij konflikti është përdorimi për herë të parë nga SHBA-të i raketave precize të sulmit me rreze të gjatë, të njohura si PrSM.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, njoftoi përmes një postimi në rrjetin social X se këto raketa ofrojnë “aftësi të pakrahasueshme goditjeje të thellë”. Kreu i këtij shërbimi, admirali Brad Cooper, deklaroi se është krenar për forcat amerikane që përdorin inovacionin për të krijuar avantazh strategjik ndaj kundërshtarëve.
In a historic first, long-range Precision Strike Missiles (PrSMs) were used in combat during Operation Epic Fury, providing an unrivaled deep strike capability.
“I just could not be prouder of our men and women in uniform leveraging innovation to create dilemmas for the enemy.”… pic.twitter.com/bydvIv5Tn5
— U.S. Central Command (@CENTCOM) March 4, 2026
Megjithëse nuk është bërë e ditur se nga cili vend janë lëshuar raketat apo cilat objektiva konkrete janë goditur në Iran, përdorimi i tyre konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në operacionet ushtarake të SHBA-së në rajon.
Raketat PrSM janë sisteme me rreze të gjatë veprimi dhe precizion të lartë, të prodhuara nga kompania amerikane Lockheed Martin. Dërgesa e parë për Ushtrinë Amerikane u bë në dhjetor të vitit 2023. Këto raketa kanë një rreze veprimi nga 60 deri në 499 kilometra dhe mund të lëshohen nga sistemet MLRS M270 dhe HIMARS, të përdorura nga forcat e armatosura të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas kompanisë prodhuese, PrSM-të janë shumë fleksibile dhe mund të vendosen shpejt në terren, duke u dhënë forcave të armatosura mundësinë të reagojnë menjëherë ndaj zhvillimeve strategjike në fushën e betejës.
Këto raketa janë projektuar për të zëvendësuar sistemin ATACMS, i cili lëshohet nga HIMARS dhe ka një rreze veprimi rreth 300 kilometra. Me PrSM-të, kjo rreze rritet deri në 499 kilometra pa qenë e nevojshme ndryshimi i platformës së lëshimit. Për më tepër, një sistem HIMARS mund të mbajë dy raketa PrSM në vend të një rakete të vetme ATACMS.
CENTCOM konfirmoi se PrSM-të u përdorën në kuadër të operacionit të përbashkët SHBA–Izrael kundër Iranit, të koduar “Operacioni Epic Fury”, i cili nisi më 28 shkurt.
Pozicioni gjeografik i disa vendeve të Gjirit, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Arabia Saudite, që strehojnë baza ushtarake amerikane dhe ndodhen brenda rreth 400 kilometrave nga Irani, i bën këto raketa një mjet të rëndësishëm për operacionet strategjike në rajon.
Rëndësia e PrSM-ve lidhet edhe me faktin se aftësitë e tyre tejkalojnë kufijtë e vendosur nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF), nga i cili Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në vitin 2019. Kjo tërheqje i hapi rrugën zhvillimit të sistemeve të reja raketore me rreze më të madhe veprimi, duke rritur kapacitetin strategjik të SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Top Channel