Ka shkuar në 15 numri i të identifikuara nga SPAK, lidhur me hetimin e trafikimit ndërkombëtarë të kokainës, hetim i nisur në vitin 2022, kur u kap një sasi prej 485.5 kilogramë kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, që u sekuestrua në Frakull të Madhe, Fier.
Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola janë arrestuar, ndërsa Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi janë shpallur në kërkim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka zhvilluar veprime të mëtejshme hetimore në kuadër të procedimit që lidhet me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Më datë 4.3.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 11, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 5 personave nën hetim dhe ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.
Më datë 5.3.2026, në zbatim të këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur ekzekutimin e masës së sigurimit për shtetasit K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Procedimi penal nr. 141/1.1 të vitit 2026 rrjedh nga procedimet penale nr. 141 të vitit 2022 dhe nr. 141/1 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme.
Më herët, më datë 13.1.2026, Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 dhe regjistrimin e tyre si procedim penal nr. 141/1.1 të vitit 2026, duke vijuar hetimet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 283/2, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier.
Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: N. Gj., V. Ç., D. Ç., K. V. (alias K.), Z. Ç., E. F., R. M., J. M., B. M. dhe M. R., ndërsa vijon gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian, S. R. R.
Në vijim të hetimeve është bërë e mundur identifikimi i pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë aktivitet kriminal. Për rrjedhojë, më datë 19.02.2026, është urdhëruar regjistrimi në procedimin penal i shtetasve K. (alias A.) M., M. Gj., D. K., A. Z. dhe K. Gj., ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, për kryerjen e veprave penale të sipërcituara.
Në kuadër të hetimeve dhe me autorizim të Gjykatës së Posaçme janë kryer edhe disa kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë. Si rezultat janë sekuestruar:
Hetimet vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Top Channel