Operacioni ushtarak i Izraelit kundër Iranit po rrit ndjeshëm mbështetjen për kryeministrin Benjamin Netanyahu brenda vendit, por njëkohësisht po krijon tensione dhe polemika në Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Izraelit.
Sipas një sondazhi të Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare në Izrael, rreth 81% e izraelitëve mbështesin sulmet ndaj Iranit, ndërsa 63% mendojnë se operacioni duhet të vazhdojë deri në rrëzimin e regjimit iranian.
Sipas CNN kjo klimë mbështetjeje i jep avantazh politik Netanyahut, ndërsa vendi po shkon drejt zgjedhjeve që pritet të mbahen më vonë gjatë këtij viti. Analistët thonë se kryeministri po përpiqet të përdorë sukseset ushtarake për të rindërtuar imazhin e tij pas sulmeve të 7 tetorit 2023, që u konsideruan një dështim i madh i sigurisë.
Qeveria izraelite e ka quajtur operacionin kundër Iranit “Operation Roaring Lion”, ndërsa Netanyahu ka deklaruar se qëllimi është “eliminimi i kërcënimit ekzistencial nga regjimi i ajatollahëve”.
Netanyahu e ka paraqitur prej dekadash Iranin si kërcënimin kryesor për Izraelin. Pas sulmeve të fundit, ai argumenton se vendi ka goditur drejtuesit kryesorë të aleatëve të Iranit në rajon, përfshirë drejtues të Hamasit dhe Hezbollahut.
Mbështetja e gjerë në vend ka detyruar edhe opozitën të rreshtohet përkohësisht pas qeverisë. Ish-kryeministri Yair Lapid deklaroi se në këtë operacion “qëndron pas qeverisë dhe pas ushtrisë izraelite”.
Ndryshe nga Izraeli, në Shtetet e Bashkuara operacioni është shumë më kontrovers. Sipas një sondazhi të CNN, gati 60% e amerikanëve nuk e mbështesin vendimin për veprim ushtarak ndaj Iranit. Ndër demokratët mbështetja është vetëm 18%, ndërsa tek republikanët arrin në 77%, duke thelluar ndarjen politike në SHBA për çështjen e Izraelit.
Debati u shtua edhe më shumë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA vepruan sepse pritej një operacion izraelit që mund të sillte sulme ndaj forcave amerikane. Edhe pse më pas sqaroi se vendimi ishte i presidentit Donald Trump, deklarata nxiti diskutime se Izraeli mund ta ketë shtyrë Uashingtonin drejt luftës.
Top Channel